Sindikalistët protestojnë në Shkup, i kërkojnë qeverisë rritjen e pagave
Të punësuarit në administratën e gjykatave dhe prokurorisë, Fondit të Shëndetësisë, si dhe të punësuarit nga zyra e Avokatit të Popullit, në organizim të Sindikatës së Punëtorëve të Administratës dhe gjyqësorit, sot kanë protestuar para Kuvendit. Ата u kanë bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive politike, të cilat tashmë kanë propozim për buxhetin e vitit të ardhshëm, që t’i mbështesin kërkesat e tyre për rritje pagash. Kreu i Sindikatës së punëtorëve nga administrata dhe gjyqësori, Tërpe Deanovski tha se bisedimet me Ekzekutivin janë ndërprerë, për shkak të, siç tha ai, “arrogancës së zv/kryeministrit Fatmir Bytyqi.
TËRPE DEANOVSKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË PUNËTORËVE NGA ADMINISTRATA DHE GJYQËSORI
“Para disa ditës, zv/kryeministri Fatmir Bytyqi e dha ndoshta deklaratën më turpëruese për media në historinë e Maqedonisë. Në deklaratë Fatmir Bytyqi i akuzoi të punësuarit se ata janë fajtorë për lëndët e papërfunduara në gjykata dhe prokurori dhe për gjendjen në shëndetësi. Për shkak se vlera e re e pagës mesatare për muajin shtator është 37.876 denarë, i bëj thirrje Fatmir Bytyqit që të vijë këtu dhe të pyes se kush nga këta të punësuar ka pagë prej 37.876 denarëve”.
Koordinatori Nacional i Sindikatës së Pavarur të punëtorëve të Shëndetësisë, Bobi Bojçevski, tha se kërkojnë edhe ndryshimin e Marrëveshjes Kolektive, rritjen e shtesës efektive, si dhe vendosjen e stazhit të beneficuar.
BOBI BOJÇEVSKI, KOORDINATORI NACIONAL I SINDIKATËS SË PAVARUR TË PUNËTORËVE TË SHËNDETËSISË
“Jemi mbledhur këtu për të dëgjuar zërin e punonjësve shëndetësorë, stafit administrativo-teknik dhe personelit teknik për një pagë më të lartë prej 30 %, për ndryshimin e Kontratës Kolektive, për rritjen e shtesave efektive, për stash të beneficuar për punëtorët – teknologë radiologjikë, radiologë, punonjës në institutet e rrezeve , mjekë dhe infermierë”.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska e pyetur në lidhje me protestat tha se protestat në rrugë mund të shihen në një vend ku sundon demokracia, ndryshe nga dikur kur nuk lejohej askush të protestonte.
Punëtorët e gjyqësorit dhe prokurorisë publike që nga 27 shtatori janë në grevë, duke kërkuar pagesën e shtesave të pagave dhe rritje të pagave prej 78 %, shuma me të cilën u rritën pagat e funksionarëve.