Simovski thotë se ka regjistrime të dyfishta në regjistrimin e popullsisë
Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostoll Simovski në deklaratë për “Fokus” thotë se procesi i përpunimit të të dhënave po shkon mirë dhe pa asnjë problem.
“Gjithçka po shkon mirë dhe tani presim që të mos ketë probleme dhe në afatin e paraparë ta përfundojmë dhe të publikojmë të dhënat”, tha Simovski.
Në lidhje nëse deri në përpunimin e deritashëm a janë vërejtur raste të regjistrimit të dyfishtë, Simovski për “Fokus” tha se këto gjëra jo vetëm që kanë qenë të pritshme, por është ditur se do të ndodhin.
“Do të ketë regjistrim të dyfishtë, por kjo është një gjë normale. Do të pastrohet e gjithë kjo dhe do të dalim me të dhëna konkrete”, tha Simovski.
Nga ESHS thonë se nuk mund të flasin për përqindjen e të dhënave të përpunuara për shkak se fazat e përpunimeve janë të dizajnuara në atë mënyrë që vazhdimisht po punohet në bazën e të dhënave, aktiviteteve në terren dhe vetregjistrimi në mërgatë.