Siljanovska: Është momenti i fundit për ta rikthyer krenarinë
Kandidatja për president nga radhët e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova fushatën zgjedhore e vazhdoi në Kavadar. Ajo u sugjeroi qytetarëve të mos besojnë në fjalë, por vetëm në vepra, sepse siç tha kundërshtarët e saj janë të frikësuar para këtyre zgjedhjeve. Ndërsa u zotua se do të bëjë gjëra që nuk i ka bërë presidenti i deritashëm, mes tjerash afrim me qytetarët përmes zyrave popullore. Sipas saj, imazhi i shtetit është imazhi i presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit, ambasadorëve, kryetarit të Gjykatës supreme apo kushtetueses.
“Mendoj se është momenti i fundit për të bërë diçka për të rikthyer krenarinë, ndërsa ne kemi shumë gjëra që mund të na bëjnë krenar. Ky vend është larg shtetit ligjor, shteti është partiak! Mendoj se ju nuk e meritoni këtë pushtet, duhet ndryshuar dhe pas këtyre zgjedhjeve presidenciale ju premtoj se do ta realizoj atë që prisni nga unë. Do t’ju dëshmoj se legjitimiteti im buron nga ju dhe jo nga dikush tjetër”, ka deklaruar Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së.