July 3, 2024
Maqedoni

Si nisi sherri që përfundoi me vrasje mbrëmë të rruga e Plastikave? – Ende s’janë kapur autorët

“Një 29 vjeçar mbeti i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur gjatë incidentit me armë zjarri që ndodhi në rrugën e plastikave gjatë mbrëmjes së djeshme ndërsa sipas prokurorisë po ndërmerren të gjitha aktivitetet për zbardhje të rastit”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbrëmë rreth orës 23:40 minuta në SPB Shkup është raportuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në bulevardin “Nikolla Karev” apo e njohur edhe si rruga e plastikave në Shkup.

“Në ora 23:45 nga Spitali i Përgjithshëm i qytetit “Shën Naum Ohridski” është njoftuar se me plagë nga armë zjarri është sjellë 24 vjeçari T.A. nga Shkupi. Në orën 23:51, nga Kompleksi i Klinikës “Nënë Tereza” është raportuar se me plagë nga armë zjarri janë sjellë 19 vjeçari O.B dhe 29 vjeçari A.I, ku pas ndihmës së dhënë, në orën 00:45. A.I. ka ndërruar jetë”, thonë nga MPB.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme shtojnë se po ndërmerren masa për gjetjen e autorëve dhe zbardhjen e rastit.

Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, thonë së bashku me ekipet hetuese të MPB-së, gjatë natës kanë kryer hetim në bulevardin “Nikolla Karev ku ndodhi incidenti tragjik.

Prokurori publik ka lëshuar urdhër për ekspertizë të gjurmëve të marra nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë duke u ndërmarrë veprime të tjera.

Motivet e këtij incidenti të armatosur që la të vdekur 29 vjecarin dhe dy tjerë të plagosur ende nuk dihen ndërsa sipas informatave, incidenti ka filluar me debat, më pas është kthyer në përplasje fizike dhe ka përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit./ Alsat.mk