Maqedoni

Shtini i rasteve me Covid 19, në Maqedoni mund të kthehet ndalesa për vizita të pacientëve në spitale

Në javën e fundit, përkatësisht në periudhën 22-28 korrik, Instituti për Shëndet Publik (IShP) ka regjistruar 78 raste të reja me Covid nga gjithsej 263 testime. Gjatë sekuencës së mostrave pozitive për SARS-CoV-2, të kryer në departamentin e virologjisë në IShP, janë zbuluar variante të Omicron JN.1 (në 23 mostra) dhe XBB (në 9 mostra).

“Gjatë javës së fundit raportuese nga data 22 deri më 28 korrik 2024, në Republikë janë kryer 263 testime për Covid-19, nga të cilat 78 kanë rezultuar pozitive. Është regjistruar edhe një person i vdekur. Përqindja e personave pozitivë nga numri i përgjithshëm i të testuarve është 29.7 për ind. Numri i përgjithshëm i testeve të kryera në RMV nga fillimi i pandemisë deri më 28.07.2024 është 2.260.797, prej të cilave 350.808 teste kanë rezultuar pozitive”, kanë thënë nga IShP.
Për shkak të numrit të shtuar të rasteve me Covid 19, pritet që të kthehet ndalesa për vizita të sëmurëve nëpër spitale, parlajmëron dr. Aleksandar Petliçkovski, drejtor i Institutit për imunobiologji.

– Në vendin tonë është ende në fuqi rekomandimi i Komisionit të Sëmundjeve Infektive (KZB) për ndalimin e vizitave në spitale, i futur në sezonin e gripit. Duke pasur parasysh numrin në rritje të rasteve me Covid, ky rekomandim ka të ngjarë të rinovohet. Edhe pse në Klinikën Infektive ka një numër të shtuar të ekzaminimeve, rastet zakonisht janë me simptoma më të lehta”, tha dr. Petliçkovski, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Simptomat që shfaqen me variantin JN.1 janë rrjedhje e hundëve ose rrufë, dhimbje fyti, lodhje, dhimbje koke, kollë, dhimbje muskujsh ose trupi, ethe, si dhe të përziera ose të vjella.

Simptomat që shfaqen me variantin XBB të omicron, megjithatë, duket se janë të ngjashme me ato të varianteve të mëparshme të omicron – ato mund të variojnë nga simptoma tipike të ftohjes, të tilla si kolla dhe rrjedhja e hundës, deri te gulçimi dhe nivelet e ulëta të oksigjenit që kërkojnë kujdes mjekësor.

A duhet të shqetësohemi për këto shifra dhe a duhet të merren masa? Epidemiologu Aleksandar Stojanov thotë se nëse njerëzit do të testoheshin më masivisht, numri i rasteve me Covid do të ishte shumë më i lartë se ai aktual.

“Në të njëjtën kohë keni qindra njerëz që as nuk e dinë se janë me Covid. Sëmuren, ua kalojnë të tjerëve”, thotë Stojanov.

Nga fillimi i pandemisë së COVID-19, deri më 28 korrik, në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 350.808 të sëmurë dhe 9.992 të vdekur si pasojë e sëmundjes.