Maqedoni

Shteti me 95 për qind popullsi muslimane ndalon restorantet “Hallall”: “Shitni raki, ose ju mbyllim”!

Zyrtarët në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit, i kanë mbyllur dyert e dhjetëra restoranteve që nuk shërbejnë alkool, kanë pretenduar pronarë të restoranteve, duke shtuar se atyre u është thënë se mund të rihapen vetëm nëse bizneset e tyre shesin liker.

Ky është vetëm njëri prej vendimeve që janë marrë së fundi, me qëllim të kufizimeve të lirive për myslimanët, pasi Qeveria në këtë vend është e shqetësuar për valën e “radikalizmit fetar” në Uzbekistan, raporton REL-i.

Shumë pronarë restorantesh i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se të gjitha bizneset e tyre – të identifikuara se kanë ushqim hallall – janë mbyllur këtë muaj, pas disa bastisjeve të papritura të policisë, shërbimeve të sigurisë, zyrtarëve për taksa dhe inspektorëve të ushqimit.

“Specialistët e ushqimit e kanë inspektuar kuzhinën, inspektorët për taksa i kanë analizuar dokumentet”, ka thënë një sipërmarrës në Tashkent, teksa e ka komentuar procesin si i është penguar puna në biznesin e tij.

“Zyrtarët e sigurisë e kanë kontrolluar dhomën e lutjeve që e kemi në restorant, e kanë pyetur stafin se çfarë bindje fetare kanë dhe na i kanë kontrolluar edhe telefonat”.

Duke folur në kushte anonimiteti, burri ka thënë se policia dhe shërbimet e sigurisë, nuk e kanë prezantuar asnjë dokumentar zyrtar që e autorizonte bastisjen.

Restoranti më pas është mbyllur “përkohësisht” nga inspektorët e sigurisë ushqimore të cilët – sipas pronarit – kanë dështuar të japin arsye konkrete për mbyllje.

Ky biznesmen ka insistuar se me kujdes i ka respektuar të gjitha rregulloret për siguri ushqimore dhe higjienë, dhe, sipas tij, lokali është gjithmonë i pastruar, dhe që stafi është i veshur gjithmonë me uniforma të bardha dhe të pastra.

Shumë pronarë tjerë biznesesh i kanë treguar Radios Evropa e Lirë përvoja të ngjashme me bastisje të restoranteve dhe kafeneve, që më pas janë mbyllur nga autoritetet.

Ndonëse restorantet e mbyllura janë nëpër zona të ndryshme të Tashkentit, e përbashkëta e tyre është se nuk shesin alkool, promovojnë biznesin me ushqime hallall dhe kanë dhoma të lutjes për mysafirët.

Konsumimi i alkoolit ndalohet në fenë islame, mirëpo konsumimi i tij lejohet brenda Uzbekistanit, shtet sekular me 35 milionë banorë, shumica e të cilëve i takojnë fesë islame.

Akuzat për shtypje të restoranteve që ofrojnë ushqime hallall, kanë ardhur pasi Qeveria uzbeke është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut për “kthim mbrapa” në reforma, dhe në zotimet për t’i përmirësuar liritë fetare.

Duke folur në kushte anonimiteti, për arsye të sigurisë, disa pronarë të restoranteve kanë thënë se bastisjet janë kryer fshehurazi nga zyrtarët.

“Ata vijnë, pretendojnë se janë konsumatorë, për të parë nëse ka dhoma të lutjes, dhe nëse restoranti shërben alkool”, ka thënë një pronar i restorantit.

Biznesmeni beson se “bazuar në të dhëna” gjatë një vizite të tillë “jozyrtare”, autoritetet e kanë bërë një listë të restoranteve që i kanë bastisur.

Të gjithë kanë thënë se restorantet dhe kafenetë që kanë shitur alkool në ato zona, nuk janë bastisur nga zyrtarët.