Shtetet e dobëta mjedis i përshtatshëm për kriza
Shkruan: Nijazi Halili
Krahas sfidave të brendshme, vendet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohen edhe me probleme të bashkëpunimit ndër-rajonal. Pavarësisht retorikës politike, e cila gjithnjë e më shumë bëhet në frymën e BE dhe të NATO-s, faktikisht gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme ndërmjet tyre. Një grup problemesh rrjedhin nga trashëgimia, siç janë problemet e shteteve te reja, i të drejtave të pakicave etnike, i pronave në zonat e zhvendosjeve të popullsive historikisht ose për arsye konfliktesh, i administrimit të kufijve, i kontrollit të trafiqeve, krimit transnacional dhe simptomave të terrorizmit.
Një grup tjetër problemesh lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe institucioneve sipas standardeve të BE-së dhe NATO-s. Ky grup problemesh ka të bëjë me integrimin, i cili përmban dy hallka, përafrim rajonal, vlerësimi mbi baza individuale, grupi i fundit i problemeve është ai i kuadrit të bashkëpunimit ekonomik, i cili nis me tregtinë e lirë, lëvizjen e mallrave, kapitaleve, shërbimeve, njerëzve dhe vijon me projektet e një revolucioni të vërtetë në ndërtimin e infrastrukturës rajonale në integrim të plotë me atë të Bashkimit Evropian.
Në këtë mënyrë, tranzicioni i vendeve të Ballkanit Perëndimor synon që të ndërtohet në këtë Rajon modeli evropian i shtetit. Ky model përmban Shtetin e së drejtës, ku të sundojë ligji, demokracia, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të pakicave, ekonomia e tregut të lirë, funksionale dhe e hapur ndaj tregut evropian dhe botëror. Për sa kohë vendet e këtij rajoni do të vijojnë të përballen me probleme drejt arritjes së këtyre standardeve, tranzicioni do të vijojë të ndikojë në ekzistencën e shteteve të dobëta. Shtetet e dobëta në vetvete, sikundër e parashtruam më lart, janë një mjedis i përshtatshëm për kriza të çfarëdo lloji dhe të çfarëdo përmase, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Duke pasur parasysh edhe pozicionin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Ballkanit Perëndimor, traditat, lidhjet dhe ndikimet nga Mesdheu e Lindja e Mesme, mund të merret me mend se vijimi i ekzistencës së shteteve të dobëta në këtë rajon përbën një rrezik potencial për destabilitet dhe kriza me ndikime më të gjera.