BallinaMaqedoni

Shtabi i Krizës në Kumanovë me vendim të ri në lidhje me ujin e pijshëm në rrjetin e ujësjellësit

Rreshjet e shiut dhe breshërit para disa ditëve në rajonin e Kumanovës kishin shkaktuar dëme të ndryshme, duke përfshirë edhe ndotjen e ujit të pijshëm në rrjetin e ujësjellësit, transmeton Portalb.mk.

“Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim i informon qytetarët se është shfuqizuar ndalesa për përdorimin e ujit për pije”, njoftoi Komuna e Kumanovës, duke vlerësuar që uji në gjithë rrjetin e ujësjellësit mund të përdoret për pije.

Shtabi komunal sqaroi që ky konstatim vjen pas mostrave të marra në inspektimin e realizuar më 25, 26 dhe 27 maj, duke theksuar që parametrat e ujit të testuar janë në përputhje me rregulloren ligjore dhe profesionale.

Më 23 maj, kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitreivski, njoftoi se rreth 80 për qind e amvisërive tashmë po furnizohen me ujë në Kumanovë pas defektit nga vërshimet e fundit, duke rekomanduar që uji para se të pihet ose të përdoret për ushqim, të vlohet.

Pas reshjeve të mëdha, të nesërmen, më 22 maj Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se uji nga ujësjellësi i Kumanovës nuk duhet të përdoret për pije.