Shqiptari nga Maqedonia që ishte pjesë e ushtrisë amerikane përshëndet zgjedhjen e Bashkim Jasharit për komandant të FSK-së!
Image: Press conference Camp Bondsteel, 2002 General Lute and Bekteshi
Propozimi i Gjeneral LT Bashkim Jasharit për Komandant të FSK-së nga Kryeministri ynë dhe Presidentja, që njëkohësisht është edhe Komandante Supreme, është një ndër nominimet më të qëlluara në Kosovë. Me këtë akt është emëruar dhe nderuar pinjolli i familjes më emblematike shqiptare në Kosovë, burrat, gratë dhe fëmijët e së cilës janë të mishëruar me bërthamën e ushtrisë, rezistencës, luftës dhe sakrficës sublime, si një rast unik dhe i paprecedent në botë.
Pra, emërimi i Gjeneral LT Bashkim Jasharit e ka bërë nervoze Serbinë edhe pse kjo ia masakroi familjen 56 anëtarësh, duke kryer masakrën më të madhe të një familje që Evropa nuk e mban mend.
Emërimi i komandantit të ri të FSK-së është në vazhdën e reformimit dhe avancimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Me rritjen e buxhetit të qeverisë së re për mbrojtje dhe me nominime të reja shumë të qëlluara dhe me reformimin e saj profesional, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është në rrugë të mbarë për ti dhënë një imazh të ri FSK-së që një kohë të gjatë ka pas stagnim për shkak të korrupsionit të lartë nga qeveritë e kaluara. Qeveria e re i ka dhënë një prioritet të merituar kësaj ministrie për ta modernizuar dhe bërë të aftë për të qenë aleate e denjë e NATO-s në misione ushtarake paqësore nëpër botë.
Transformimet: Shpërbërja e UÇK-së në TMK-ë (Trupat e Mbrojtëse të Kosovës, 1999-2009) dhe shpërbërja e TMK-së dhe krijimi FSK-së (Forca e Sigurisë të Kosovës me 21 janar 2009). Presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush autorizoi ndihmën ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës në një hap tjetër për të vendosur marrëdhënie zyrtare me Kosovën.
Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës brenda 10 viteve. Për këtë reaguan ashpër BE, OKB, NATO, por u miratua nga SHBA, Britania, Gjermania dhe Franca, derisa Amb. amerikan në Prishtinë Kossnet deklaroi se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës është një moment historik.
Pa aleatët tanë këto shpërbërje e transformime dhe trajnime kanë qenë të pamundura, por duke iu falënderuar KFOR-it, një akronim për Kosovo Force dhe ekspertëve të këtij misioni ku u dalluan Forcat Britanike në fillim dhe Forcat amerikane që nga fillimi deri në ditët tona, u kujdesën me vetëmohim për trajnimin profesional në të gjitha fazat qoftë në bazën amerikane Bondsteel e qoftë në bazat e TMK/FSK-së. Me ndihmën dhe përkushtimin e ekspertëve ushtarak amerikanë Ushtria e Kosovës po behet një realitet dhe një storje suksesi.
Meqë misioni i ushtarak është tepër sensitiv, dhe në punën e saj të përditshme duhet të aplikohen kodet, rregullat e klasifikuara ushtarake konfidenciale (sekret/top sekret) dhe të ruhen ato konform ligjeve ushtarake dhe mos të bëhen rrjedhjet e sekreteve ushtarake pre e spektaklit mediatik sikurse që ndodhi me “kërkesën për ngjyrosje të dy autoblindave për përdorim në misionin e kontrabandës dhe reciprocitetit në veri. Gjeneralit Rama do ti bënte më shumë nder sikur mos të kishin rrjedh këto informata me autoblindat dhe me shkarkimin e tij për shkak të refuzimit, përpara se kjo të ndodhte. Gjeneral Rama ka bërë një punë solide dhe lëshimet e informacioneve shtesë në ditët në vijim vetëm se mund ta dëmtojnë atë dhe FSK-në.
Në përpjekjet për reformimin e Forcave të Armatosura besojmë fort se Komandanti i ri i FSK-së do të shtoj numrin e kadetëve që të shkollohen nëpër Akademitë Ushtarake duke u nisur nga West Point dhe akademi të tjera prestigjioze për zanatin e ushtarakut. Të vazhdoj me zgjedhjen e kuadrove profesionale, me trajnime bashkohore dhe për ti ngrit Forcat e Armatosura në një nivel të ri konform standardeve amerikane dhe NATO-s. Ky emërim i ri, si në aspektin moral e profesional është shumë i mirëpritur në opinionin mbarë shqiptar, dhe le të shpresojmë edhe për kthesën e madhe për një mision kapital, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Ramazan Bekteshi, Kërçovë-Uashington, Prononcim per Bota Sot