Diaspora

Shqiptarët e Amerikës përkujtuan 80 vjetorin e gjenocidit në Çamëri

Sokol Paja

New York, 29 qershor 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” përkujtoi në Selinë Qëndrore në New York 80 vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Në fjalën e hapjes Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se gjenocidi grek mbi shqiptarët e pafajshëm të Çamërisë ishte një ndër ngjarjet më të tmerrshme të ndodhura ndaj popullsisë shqiptare. Në kumtesën e Ndriçim Kullës lexuar nga Nancy Kajo u tha se: “Zhdukja me çdo kusht e minoritetit shqiptar të çamërisë u bë një nga detyrat më të rëndësishme të grekërve për të realizuar të ashtuquajturën “Ide të madhe” të tyre, edhe pse ishte një detyrë agresive dhe kishte në thelb kryerjen e një akti çnjerëzor. Grabitjet e dhunshme të pasurisë së shqiptarëve, stimulimi i grekërve për t’u vendosur në fshatrat me popullsi çame dhe për të ndryshuar strukturën e përbërjes së popullsisë dhe shfrytëzimi arbitrar i pasurisë së tyre ishin veprime të përditshme që u bënë gjithmonë me urdhëra të qeveritarëve të Athinës veprime këto të stilit fashist”. Alket Veliu
Drejtues i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” në kumtesën e dërguar për këtë përkujtimore lexuar nga editori i Diellit shprehet se: “Masakrat dhe spastrimi etnik, duke dëbuar dhe shpërngulur me dhunë popullsinë shqiptare myslimane të Çamërisë, përbëjnë një ngjarje tragjike që ka lënë gjurmë të thella në historinë e kombit tonë. Kanë ndodhur krime monstruoze, që kapërcejnë çdo lloj imagjinate kriminale, krime të cilat kanë mbetur pa u ndëshkuar dhe, akoma më keq, as nuk pranohen nga pasardhësit e ekzekutorëve të këtyre krimeve” thuhet ndër të tjera në kumtesën e z.Veliu. Patrioti i shquar çam Ahmet Xhafo në fjalën përshëndetëse të dërguar për këtë takim shprehet se gjenocidi grek ishte “një krim që ndodhi mu në zemër të qytetërimit europian e askush nuk reagon, fatkeqësisht as shteti shqiptar. Shteti grek vodhi e sekuestroi me dhunë pasuritë, tokat, bizneset, bagëtitë, e shtëpitë e shqiptarëve. Ende sot asnjë falje, asnjë kompensim, as asgjë, vetëm harresë, por shqiptarët e Çamërisë nuk do të harrojnë përjetë”. Aktivisti i çështjes kombëtare Bashkim Shehu e cilësoi gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë si një ndër ditët më dhimbshme të historisë sonë kombëtare dhe se shqiptarët nga Amerika duhet të punojnë për çështjençame. Poeti Mhill Velaj përgëzoi Vatrën për aktivitetet patriotike, apeloi që shqiptarëve të Çamërisë tu garantohen të gjitha të drejtat e mohuara shekullore dhe shprehu ngushëllime për humbjen e mikut të madh të Vatrës, Diellit e shqiptarëve të Amerikës Atë Antonio Bellusci. Pjetër Marku nga akademia “Mirdita” i bëri apel politikës shqiptare që të mos e harrojë kurrë çështjen çame. Në përfundim të përkujtimores, patrioti nga Kosova Toni Musaj shtroi një koktail për të pranishmit.