Shqipëri

Shqipëria, peng i mafies-shtet e kapjes së drejtësisë’/ Meta: Ekzaltimi i Ramës, hipokrizi e bandës së ‘Rilindjes’

Presidenti i PL, Ilir Meta nga burgu ka reaguar pas Progres Raportin e KE, dorëzuar Shqipërisë dhe 3 autoriteteve më të larta të vendit, Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Kuvendit.

Në reagimin e tij, Meta e konsideron ekzaltimin fals të kreut të qeverisë Rama, si hipokrizi dhe papërgjeshmëri të tij dhe bandës së Rilindjes, që pasi e bllokoi integrimin e vendit për një dekadë, procesi sipas kreut të PL, duhej të ishte përmbyllur prej kohësh.

Sipas Metës, Shqipëria e ka nënshkruar marrëveshjen e MSA shumë më herët se vendet e rajonit, por kapja e shtetit nga mafia dhe sidomos kapja e drejtësisë, e cila nga një reformë me 140 vota, përfundoi me 69 vota dhe betime gjyqtarësh te noteri te Lana, bëri që vendi ynë të bëjë regres.

Reagimi

Ekzaltimi fals i Kryeministrit Rama për grupkapitujt, pasi e bllokoi integrimin europian të vendit për një dekadë është tregues i hipokrizisë dhe papërgjegjshmërisë të tij dhe bandës së “Rilindjes” për këtë proces që duhej të ishte përmbyllur prej kohësh.
Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit më 2006, para Malit të Zi, Serbisë dhe vendeve të tjera, që e nënshkruan atë vite më pas.
Ndërkohë ato i çelën negociatat më 2012 dhe 2014 dhe janë në një stad shumë më të avancuar edhe pse kishin problem me Gjykatat Ndërkombëtare dhe konflikte ndëretnike.
Ndërsa Shqipëria ka patur e ka vetëm një problem, kapjen e shtetit nga mafia dhe sidomos kapjen e drejtësisë, e cila nga një reformë me 140 vota, përfundoi me 69 vota dhe betime gjyqtarësh te noteri te Lana.
Ndaj indekset e drejtësisë janë më zi se Vietnami komunist apo Bjellorusia e Lukashenkos.
Ky zhvillim edhe pse shumë i vonuar është vetëm për arsye gjeopolitike dhe se s’mund të vazhdojë më shumë.
Ndërsa premtimi solemn se brenda tre vitesh do mbyllen negociatat është fiks si premtimi i mbajtur para ardhjes në pushtet të “Rilindjes” për “shëndetësinë falas” apo premtimi se brenda një mandati do zgjidhej problemi i ujit të pijshëm në të gjithë vendin.
Beteja e Partisë së Lirisë dhe opozitës të vërtetë kundër kapjes së shtetit dhe rikthimit të llogaridhënies do të zhbllokojë edhe procesin e integrimit europian.