July 3, 2024
Shqipëri

Shqipëri, ngritja e Komisionit Antikorrupsion, edhe partitë e vogla opozitare dalin kundër

Edhe partitë e vogla opozitare dalin kundër Komisionit Antikorrupsion, të ngritur dje në Kuvend. Lëvizja për zhvillim Kombëtar thotë se komisioni synon t’i bëjë presion SPAK-ut, ndërsa opozitës i kërkon të mos bëhet pjesë.
“Ne e kemi konsideruar një dokument pa vlerë që nuk lufton realisht korrupsionin, Qeveria i ka mjetet e nevojshme për ta luftuar korrupsionin. S’ka si e lufton korrupsionin një komision i dominuar po nga kjo Qeveri, me kryetar po këta të shumicës. Është një lloj teatri për t’i hedhur hi syve të popullit.”, – deklaroi kryetari i LZhK-së, Dashamir Shehi.
Edhe Ilir Meta nga selia e Partisë së Lirisë, ndonëse vetë jashtë Parlamentit, sugjeroi bojkot.
Në seancën e së enjtes, asnjë prej deputetëve të partive të vogla opozitare nuk votoi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, duke iu bashkuar bojkotit të grupit parlamentar të PD-së.  Objekti i komisionit, sipas projektvendimit do të jetë skanimi dhe reformimi i luftës ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit në funksion të integrimit evropian.