Maqedoni

Shote Galica e Sanxhakut, Amina Nuraj, thotë se ndjehet si vajza e hoxhës nga Sllupçani, Mumin Efendiu

Gjatë leximit të librit “Mulla Mumin Efendi Halidi” (hoxha nga Sllupçani që jetoi në Pazarin e Ri, v.j.), të autorit të nderuar Z. Fejzulla Arifi, një pjesë e këtij libri më kujtoi shumë vetja ime.

Përkatësisht, vajza më e vogël e Mulla Muminit, Letafetja, ka filluar të ndjekë shkollë shqipe në Pazarin i Ri në moshën pesëvjeçare.
Në atë kohë shkolla shqipe ka pas pagesen 1000 dinarë dhe ajo nuk lejohej të pyeste babanë e saj, por shkoi në furrën e njerit tonë dhe i kërkoi atij një borxh 1000 dinarë.
Bukëpjekësi e njoftoi Mulla Muminin se vajza e tij mori një borxh prej 1000 dinarë për të paguar shkollën shqipe.
Kur erdhi në shtëpi, Mulla Mumin e pyeti vajzën e tij se për çfarë i mori paratë, ajo u përgjigj se ishte regjistruar në një shkollë shqipe dhe se për këtë i duheshin 1000 dinarë.
Por a dini shqip? -Mulla Mumin e pyeti vajzën e tij pesëvjeçare.
Qika iu përgjigj: “Po, e di. Si bre babë kështu,ti prej nga je e prej nga e ke marrë gruan?!”😂

Kjo histori më kujtoi mua kur doja të studioja në Prishtinë dhe për shkak të mosnjohjes së gjuhës amtare në atë kohë, babai nuk më la të shkoja. Dhe kur i thashë se do të studioja në Mitrovicë, në pjesën veriore, babai m’u drejtua me këto fjalë: “Të dërgoj për të studiuar, jo në burg”. E pyeta: “Për çfarë burgu e ke fjalën?” -“Biri jem, (sepse babai më thotë “bir”) të gjithë të njohin mjaft mirë, e dinë çfare je. Nëse dikush të thoshte diçka të keqe për Adem Jasharin, e ke gjak të nxehtë, do ta vrisje në vend at njerin”.

Dhe kështu, më mbeti dëshira për të përfunduar universitetin në Prishtinë në gjuhën time amtare.