June 26, 2024
BallinaMaqedoni

Shokarovski: Vendimi i Demirit për shkarkim, i pabazë

Drejtori i shkarkuar i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Marjan Shokarovski, ka shprehur mospajtim me vendimin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Demiri, i cili ditë më parë e shkarkoi të njëjtin për shkak të të dhënave se ka rritje të vdekshmërisë në këtë klinikë apo se ekzistojnë pacientë fantomë. Këto pretendime i mohoi Shokarovski, sipas të cilit, anëtarët e komisionit që janë caktuar nga ministri për ta analizuar punën e klinikës dhe t’i analizojnë numrat janë mjekë të cilët nuk kanë kurrfarë kontakti me pacientët e kardiokirurgjisë, si dhe njëri nga anëtarët e komisionit ka qenë kundërkandidat për drejtor të klinikës para gjashtë muajsh. Për këtë arsye, Shokarovski tha se kanë bërë analizë të re, e cila ka rezultuar se nuk ka rritje të vdekshmërisë, por përkundrazi e njëjta periudhën e fundit po shënon ulje në këtë klinikë.
“Pesë muajt e fundit tregojnë se vdekshmëria është më e ulët nga ajo e parashikuar, gjegjësisht më e ulët nga parametri i ashtuquajtur “euroskor 2”, që i bie se jemi më të mirë nga ajo se çfarë është pritur. U paraqitën informata për 170 pacientë fantomë, të cilët nuk ekzistojnë në sistem. Ne në mënyrën më të rreptë i demantojmë këto të pavërteta. Analiza jonë dhe kontaktet me “Termini im” tregojnë se ekziston gabim teknik gjatë transmetimit të informatave nga platforma e softuerit, të cilën ne e përdorim për evidentimin e pacientëve deri tek platforma “Termini im”.”, – deklaroi drejtori i shkarkuar i Klinikës së Kardiologjisë, Marjan Shokarovski.
Ministri i Shëndetësisë Demiri, shkarkimin e drejtorit të Klinikës, Shokarovski, e ka arsyetuar me mospërfshirje të rregullt të pacientëve në sistem dhe probleme të marrëdhënieve ndërpersonale në institucion, për të cilat ka formuar komision i cili i ka vërtetuar të njëjtat. Por Shokarovski tha se nuk i është dorëzuar raporti i komisionit në fjalë.