Maqedoni

Shkupi, Kumanova dhe Tetova me më së shumti raste aktive me virus

Shkupi, Kumanova, Tetova, Prilepi dhe Manastiri janë qytetet ku ka më së shumti raste aktive me COVID-19, ndërsa në vend ende dominon lloji delta e virusit.

Dragan Koçinksi nga Instituti për Shëndet Publik tha se numri i rasteve vjet deri më 7 dhjetor është 134.460, ndërsa prej tyre kanë humbur jetën 4.784 ose 3.56%. Ai theksoi se rasti i parë është regjistruar në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa vatra e parë është regjistruar në Dibër. Në vitin 2020, ka pasur 88.734 raste dhe 2.904 persona kanë humbur jetën ose 3.47%.

Sipas të dhënave, burrat kanë rrezik më të lartë nga vdekja për shkak se 59.5% e të vdekurve janë burra, ndërsa më e prekur është mosha mbi 60 vjet.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë në Maqedoni janë diagnostifikuar 218.362 raste, ndërsa 204.960 prej tyre janë shëruar dhe 7.695 kanë humbur jetën.