June 29, 2024
Maqedoni

Shkupi, 8 vjet pa park argëtues

Parku i qytetit në Shkup çdo ditë është plot me vizitorë. Parku buçet nga fëmijët, por Parku argëtues, vendi i preferuar për t’u argëtuar për më të vegjlit, që 8 vjet nuk ekziston. Dyert e ish-parkut argëtues janë të mbyllura dhe të mbushura me bar dhe hyrja e re nuk funksionon fare.

Rruga që të çon nga arena në park është e mbushur me gropa në çdo vend dhe e kështu qëndron prej vitesh. Mbeturina, shishe plastike dhe qeset janë të shpërndara përgjatë rrugës. Dëgjohet edhe zhurma e punimeve të ndërtimit, por ato nuk janë nga Parku argëtues por nga diskotekat përreth që po përgatiten për sezonin e ri veror.

Sipas projektit, i cili nuk u realizua asnjëherë, diskotekat duhej të ishin zhvendosur dhe në vend të tyre të kishte më shumë hapësirë argëtimi për më të vegjlit. Por ata punojnë çdo verë, dhe parku argëtues është i mbushur me bar dhe i lënë pas dore. Brenda janë disa nga rekuizitat e vjetra që janë ende të paprekura, si treni dhe karuseli. Karuseli ishte prej vitesh në Komunën e Aerodromit, pranë parkut të avionëve, por pak muaj më parë u largua dhe tashmë po kalbet në parkun e mbyllur.

Parku argëtues u mbyll në vitin 2017 me urdhër të ish-kryetarit Koce Trajanovski, kur filloi të ndërtohet parku i ri. U ndërtua vetëm porta e hyrjes, e cila është në stilin barok dhe u blenë disa rekuizita. Me ardhjen e Petre Shilegovit u ndërprenë punimet ndërtimore dhe u tha se do të bëhet projekt i ri. Atëherë u tha se parku do të ketë rekuizita jo vetëm për fëmijët por edhe për të rriturit, si rrota e panoramës, saja, tajfuni, anije e piratëve, karuseli dhe kështu do të tërheqë një numër të madh turistësh. Por në kohën e Shilegovit kjo ide mbeti vetëm në letër.

Me ardhjen e kryetares Danela Arsovska, poashtu gjërat nuk kanë lëvizur. Pas ardhjes në detyrë, ajo tha se do të vazhdojë me projektin e Shilegovit, por ndërkohë parku do të vihet në funksion me rekuizitat e siguruara nga Trajanovski. Por asgjë nga këto nuk ndodhi dhe Parku argëtues është ende i mbyllur.

Nga Qyteti i Shkupit nuk morëm përgjigje për pyetjet tona se kur do të fillojë të ndërtohet parku argëtues dhe çfarë po bëhet për këtë projekt.

Ndërkaq, në Shkup, në hapësirën afër sallës sportive “Boris Trajkovski” është një park argëtues ilegal. Karuseli dhe disa rekuizita të tjera janë vendosur prej dhjetë ditësh pa leje adekuate. Ministria e Punëve të Brendshme, Inspeksioni i Tregut dhe DAP kanë konstatuar më 20 maj në një aksion të përbashkët se parku argëtues ka një sërë parregullsish dhe për këtë arsye nuk duhet të punojë dhe të largohet. Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga ky vendim rekuizitat nuk janë hequr ende.