Rajon - Botë

Shkon në 40 numri i viktimave izraelite nga sulmet prej Gazas

Në sulmet që Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit filluan kundër Izraelit nga Rripi i Gazës nën bllokadë kanë humbur jetën 40 izraelitë ndërsa mbi 750 të tjerë janë plagosur, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Shërbimi izraelit i ndihmës së urgjencës, “Ylli i Kuq i Davidit” thuhet se ekipet shëndetësore kanë njoftuar se 40 persona kanë humbur jetën ndërsa kanë kryer ndërhyrje ndaj qindra të plagosurve.

Ndërsa në lajmin e televizionin izraelit “Kanal 12” thuhet se numri i të plagosurve në të gjithë Izraelin ka tejkaluar 750. Spitali “Soroka” në qytetin Beer-Sheba në afërsi të Gazës njoftoi se në spital janë trajtuar mbi 60 të plagosur rëndë.

Në anën tjetër njoftohet se nesër do të ndërpritet mësimi në të gjithë Izraelin.

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit njoftoi se mëngjesin e sotëm ka nisur kundër Izraelit operacionin gjithëpërfshirës të emërtuar “Tufani i Aksa-së”. Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa edhe grupet e armatosura hynë në vendbanimet në rajon.

Pas operacionit “Tufani i Aksa-së” edhe ushtria izraelite njoftoi se ka filluar sulm me dhjetëra avionë luftarakë ndaj Rripit të Gazës.