Shkollat e mesme në Tetovë promovojnë drejtimet e tyre para semimaturantëve
Shkollat e mesme në Tetovë në sheshin “Iliria” kanë promovuar drejtimet e tyre shkollore, ku nga afër semimaturantët janë njoftuar me programet shkollore. I pari i Tetovës, Bilall Kasami, tha se në çdo shkollë janë kushtet e mira, por tha se numri i nxënësve po bie shkaku i mërgimit masiv të popullatës në vendet evropiane dhe sipas Kasamit, duhet një rioorganizim nëpër shkolla, pasi në disa shkolla ka mungesë të nxënësve dhe në disa ka ngarkesë.
“Numri i nxënësve drejtpërsëdrejti lidhet edhe me faktin e largimit të banorëve të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut drejt vendeve perëndimore. Por, plani është që të ndalet ky proces. Ajo që ka të bëjë drejtpërdrejt me shkollat dhe komunat është procesi i rioorganizimit të shkollave, pasi edhe me tej kemi disa shkolla që kanë numër më të madh të nxënësve dhe ka shkolla që ka mungesë të nxënësëve.”, – deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Edhe pse kemi disa drejtime të reja, interesimi është pak i dobët tek shkollat profesionale, duke e ditur se ne prodhojmë shumë sende edhe prodhojmë nxënës që janë të lindur për dizajn tekstil apo drejtime tjera, si dhe duke parë se prindërit janë shumë pak të interesuar se çfarë ka në shkollën tonë, unë mund të them se drejtimet për në shkollën tonë profesionale ka shumë pak interesim. Vitin që shkoi kemi pasur 108 nxënës më pak, ndërsa tani kemi minus 108 nxënës, paramendoni çfarë do të bëhet pas pesë viteve.”, – deklaroi drejtori i shkollës tekstile, Muzafer Livoreka.
“Ne si shkollë kemi pasur një rritje konstante, nuk kemi pasur ende rënie. Ne, vetëm katër – pesë vitet e fundit kemi regjistruar numër më të madh të nxënësve. Kemi regjistruar gjithsej mbi 12.00 nxënës në shkollë, por ajo mungesa e semimaturantëve reflekton diku në komunë edhe shpresojmë që edhe këtë vit të kemi numër të njëjtë dhe mos të kemi rënie të atij numri.”, – u shpreh drejtoresha e shkollës ekonomike “8 Shtatori”, Mirjeta Ilazi.
Përndryshe trendi i mbylljes së klasave në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë nuk po ndalet. Vitin që lamë pas, në shkollën fillore “Besa” në fshatin Bozofcë të Tetovës, nuk ka pasur nxënës të regjistruar në klasë të parë, e njëjta situatë është edhe në këtë vit. Përveç shkollës në fshatin Bozofcë, të rrezikuar do të jenë pas pak vitesh edhe shumë shkolla të tjera në Malësinë e Tetovës./TVM2