Shkelja e masave në pandemi, dhjetëra qytetarë përfundojnë në burg
Përderisa deputetët assesi të përgatisin ligjin i cili do të ua falte veprën, burgjet po mbushen me shkelësit e masave kundër përhapjes së Kovid-19 të cilët janë burgosur për shkak të pamundësisë financiare që t’i paguajnë gjobat marramendëse nga 500 deri në mbi 2,000 euro ndërsa pjesa më e madhe prej tyre, janë persona që jetojnë me ndihma sociale.
Gjatë periudhës kur këto masa ishin në fuqi, gjithsej 2,385 qytetarë u gjobiten me nga 500 euro, ndërsa 2,124 qytetarë me gjoba prej 1 mijë deri në 2 mijë euro. Këtyre personave ju ishte dhënë afat prej 2 viteve për t’i shlyer pagesat.
Derisa pjesa më e madhe paguan gjobat, 94 persona nga pamundësia për t’i gjetur paratë, sot flenë në të njëjtat qeli të burgjeve së bashku me autorë të veprave të rënda penale. Ky numër pritet që të rritet.
Njësiti për Zbatimin e Sanksioneve në RMV
• Burgu i Idrizovës – 36 persona
• Burgu i Shutkës – 40 persona
• Burgu i Prilepit – 3 persona
• Burgu i Kumanovës – 8 persona
• Burgu i Manastirit – 2 persona
• Burgu i Gjevgjelisë – 2 persona
• Burgu i Tetovës – 3 persona
Kjo masë përbën barrë për burgjet veçse të mbipopulluara si dhe buxhetin e tyre. Ndërkaq ligji i cili tash disa muaj po përgatitet në kuvend do t’i nxjerrë nga burgu këta persona, por, nuk do të ua kthejë paratë atyre që veçse i kanë paguar gjobat. Për këtë arsye vetë ministri i Drejtësisë, Nikola Tupançevski më herët kishte deklaruar se miratimi i këtij ligji duhet të bëhet sa më shpejtë, sepse mund të bëhet vonë.
E përderisa qytetarët po paguajnë ndërsa burgjet po mbushen, deputeti Arbër Ademi për ALSAT thotë se akoma nuk e kanë përpiluar ligjin.
“Sigurisht, duke pasur parasysh se rreth 1 mijë qytetarë, në mesin e të cilëve shumica janë raste sociale, po zëvendësojnë dënimet me pagesë në dënim me burg, kjo nuk na bën që të rrimë duarkryq dhe dëshirojmë që në këtë drejtim të japim kontributin tonë. Prandaj jemi në fazë të diskutimeve se çka më tutje, pra nuk bëhet fjalë për një amnesti klasike por për një zëvendësim të dënimit në të holla në dënim me kusht në mënyrë që të evitohet dënimi me burgim”, deklaroi Arbër Ademi, deputet.
Shkelja e masave kundër Kovid-19 iu kushtoi shumë para qytetarëve të vendit. Sipas llogaritjeve, mbi 3,8 milion euro janë derdhur nga xhepat e qytetarëve në buxhetin e vendit vetëm për shkak të mos-mbajtjes së maskës mbrojtëse. /Alsat.mk