Shirat e vazhdueshëm kanë shkaktuar dalje të lumenjve nga shtratet
Në 24 orët e fundit Qendra e Menaxhimit të Krizave ka raportuar për dalje nga shtrati të lumenjve më të vegjël në të gjithë vendin pas reshjeve të dendura të shiut. Përmbytje të rrugëve dhe rrëshqitje të dheut në rrugë janë shënuar në disa qytete dhe fshatra të Maqedonisë verilindore dhe veriperëndimore. Nga Qendra e Menaxhimit të Krizave në Tetovë njoftuan se lumi Lakavica është derdhur në fushat e fshatit Turçanë.
Lumenjtë “Kriva Reka” dhe “Kiselicka Reka” në Krivapallankë mbrëmë kanë shkaktuar dëme të mëdha, janë rrëmbyer urat për këmbësorë, janë përmbytur banesat e qytetarëve. Komuna e Kriva Pallankës bëri thirrje për qetësi pas situatës së re me përmbytjet.
Në Komunën e Nagoriçanit të vjetë ka dale nga shtrati edhe lumi Pçinjë afër Pelincës. Qendra e menaxhimit të krizave paralajmëron që të mos kalohet ura në afërsi të fshatit Pçinjë, sepse është me ndërtim të dobët .
Në Prilep uji është nxjerrë nga objektet afariste në dy rrugë. Situatë të pafavorshme hidrologjike ka pasur edhe në Dellçevë. Reshjet e reja të rrëmbyeshme që kanë goditur dje territorin e Komunës së Dellçevës kanë dëmtuar një pjesë të rrjetit rrugor lokal në fshatin Dramçe në Dellçevë, ku nga ngritja e ujërave është dëmtuar ura që kalon nëpër fshat, si dhe janë përmbytur disa vila dhe objekte ndihmëse.
Qendrat e menaxhimit të krizave kanë njoftuar se në rrugën rajonale” Gradsko-Prilep” është ndalur plotësisht qarkullimi sot në mëngjes për shkak të vërshimeve.
Lidhja Auto Moto e Maqedonisë së Veriut rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore, ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.