Maqedoni

ShGM: Kuvendi të japë shpjegim për privilegjimin e gazetarëve të huaj

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot ka dërguar një reagim dhe kërkesë për shpjegim kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, Jovan Mitreski për trajtimin e privilegjuar dhe joparimor të gazetarëve të huaj në Kuvendin e RMV, transmeton Portalb.mk.

Pas raportimeve në SHGM nga gazetarët dhe sipas raportimeve të mediave gjatë ditës së djeshme, katër gazetarë janë privilegjuar nga shërbimet e Kuvendit në kurriz të gazetarëve dhe punonjësve të mediave vendase.

“Besojmë se deri më tani kjo nuk ka qenë praktikë dhe theksojmë se me veprime të tilla krijohet një precedent i cili mund të lë përshtypjen se dikush është i privilegjuar në kurriz të tjetrit në fushën gazetareske. Së paku, një trajtim i tillë nënçmon gazetarët e tjerë dhe krijon një perceptim se gazetarët e huaj ndikohen të raportojnë në favor të palëve të interesit vendas nga partitë politike në Kuvend, ndërsa trajtimi i pabarabartë i gazetarëve kontribuon në mungesën e transparencës dhe llogaridhënies”, thonë nga ShGM.

Nga kjo Shoqatë shtojnë se privilegjimi i disa gazetarëve ndaj të tjerëve nga shërbimet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ngre shqetësime serioze për lirinë dhe integritetin e gazetarisë në vend.

“Një favorizim i tillë mund të rezultojë në raportim të njëanshëm, censurë dhe shtypje të zërave të larmishëm, duke kompromentuar përfundimisht të drejtën e publikut për të patur qasje në informacion të saktë dhe të paanshëm”, thonë nga ShGM.

Kujtojmë që dje, katër gazetarët nga Shqipëria dhe Kosova, Blendi Fevziu, Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe Adriatik Kelmendi, ishin ulur në pjesën diplomatike të tarracës në sallën plenare dhe transportoheshin edhe me automjete zyrtare të Qeverisë gjatë vizitës së tyre.