Shembet ndërtesa 12-katëshe në Miami, frikë për shumë viktima
Një ndërtesë banimi 12-katëshe u shemb pjesërisht brenda natës në Surfside, afër Miami. Dhjetëra ekipe shpëtimi ndërhynë në vend, njoftoi departamenti i zjarrfikësve. Ende nuk bëhet e ditur se çfarë e shkaktoi shembjen, si edhe numri i viktimave apo të plagosurve, por një zjarrfikës i pranishëm në vendngjarje foli për disa vdekje. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se një djalë u nxor i gjallë nga rrënojat.
“E gjithë pjesa e pasme e ndërtesës u shemb”, tha rreshteri Marian Cruz i Miami Dade Fire Rescue. Qindra zjarrfikës dhe grupe të shpëtimit janë duke gërmuar në rrënoja.
Policia bllokoi rrugët pranë objektit dhe dhjetëra automjete zjarrfikëse dhe shpëtimi, ambulanca, si dhe makina policie u mblodhën në vendin e ngjarjes. Në këtë lagje ndodhen apartamente të vjetra dhe të reja, shtëpi dhe hotele, me restorante dhe dyqane që shërbejnë për vendasit dhe turistët./A2CNN