Rajon - Botë

SHBA, thirrje Izraelit: Mbroni jetët e civilëve në Gazë

Shtëpia e Bardhë tha të dielën se Izraeli ka përgjegjësinë të mbrojë jetët e njerëzve të pafajshëm në Gaza.
Komentet i bëri në disa intervista për televizionet amerikane, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, mes kritikave në rritje për vdekjen e civilëve palestinezë.
“Ne besojmë se në çdo orë, çdo ditë të këtij operacioni ushtarak, IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit), qeveria izraelite duhet të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë dallimin mes terroristëve të Hamasit që janë objektiva legjitime ushtarake dhe civilëve që nuk janë”, tha Sullivan në CNN.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për këtë çështje dhe zoti Biden do ta përsërisë qëndrimin në një telefonatë të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu”, tha Sullivan.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha gjithashtu se kryeministri Netanyahu ka përgjegjësinë të “frenojë” pjesëtarët ekstremistë të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor, nën kontrollin e Izraelit.