Rajon - Botë

Serbët vazhdojnë protestat – pamje nga komunat në veri

Protestat e qytetarëve serbë kundër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës, po vazhdojnë tash e dy javë.
Ekipi i Telegrafit ka qëndruar të enjten në Zubin Potok, ku është parë situatë e qetë. Protestuesit atje kanë vallëzuar e kënduar këngë serbe para objektit komunal.

Ndërsa, në Zveçan protestës i janë bashkuar studentët serbë të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës” me seli në veri të Mitrovicës.

Ushtarët e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë para objekteve komunale.

Situata në komunat në veri është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar u detyruan të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe mediat e gazetarët.

Së fundmi po diskutohet për zgjedhje të reja lokale si mundësi për shtensionimin e situatës.