Selimi: Familja Taravari, në mesin e familjeve që e paguajtën me burgim pengimin e mbylljes së paraleleve shqipe në Gostivar!
Familja Taravari, Purde, Dogani dhe Agai janë disa nga familjet më të shquara intelektuale dhe asimdashëse në Gostivar që penguan mbylljen e paraleleve shqipe në Gostivar! Djemt e këtyre familjeve ishin nismëtarët e parë me organizime përmes lëvizjeve të themeluara në Shkup e Zagreb për të ndaluar shpërnguljen e shqiptarëve nga Gostivari për në Turqi dhe mbylljen e paralaleve shqipe.
Kronologjinë e ndodhive na sjellë studiuesi dhe gazatari Nazif Selimi me prejardhje nga fshati Llakavicë e Gostivarit. Ai sqaron në detaje periudha kohore dhe përmend emrat që kontribuan për ruajtjen e arsimit në shqip në kohën e Titos në Gostivar.
Shkrimi i tij vjen në Ditën e Mësuesit Shqiptar – 7 Marsi, ndërsa sqaron se edhe kush ishin meritorët nga Shqipëria e pastaj nga Gostivari për mësimin e shkronjave shqipe të brezave të asaj kohe.
“7 MARSI” – Dita e Mësuesit, ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe, e cila u themelua më 7 mars 1887, në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit. Kjo datë shënoi një fitore të rëndësishme për arsimin shqip dhe kombin shqiptar. Hapja e shkollës Normale të Elbasanit përgaditi mësues, të cilët ndikuan në mënyrë të dukshme në shtrirjen e arsimit, duke përgaditur një plejadë të tërë mësuesish, të shpërndarë anekënd Shqipërisë, si edhe në Kosovë e Maqedoni. Shkëndijat e para të arsimit shqip në Maqedoni filluan të japin fryt në dekadën e katërt të shekullit të kaluar, në disa qendra, të cilat u hapën vatrat e mirëfillta për mësimin e shkronjave shqipe. Kontributi i hapjes së shkollave të para në gjuhën shqipe në Maqedoni është meritë e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, që dërgoi një numër të madh të mësuesve nga Normalja e Elbasanit. Në Gostivar për hapjen e shkollave të para shqipe u përfshi një numër i madh mësuesish, ndër të cilët kontribut të madh kanë dhënë: Myrteza Peza, Ahmet Pero, Zija Rroshi etj. Ata gjetën një numër të vogël arsimdashës dhe intelektualë edhe në këtë vend, siç ishin: Abdylaqim Dogani, Mustafa Ismaili etj. Puna e tyre zgjati deri në vitin 1953, kur Titoja nënshkroi marrëveshje me qeverinë e Turqisë, shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Kjo marrëveshje ishte e lidhur me realizimin e projektit famëkeq të Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve nga toka arbërore. Këtë fushatë antishqiptare UDB-ja e filloi paraprakisht me prishjen e objekteve fetare, si dhe hapjen e paraleleve turke, duke i mbyllur paralelet shqipe, që nxitën shqiptarët për shpërngulje nga trojet e tyre për në Turqi”, shruan Nazis Selimi, studiues.
Këtë fushatë, thekson Selimi në shkrimin e tij, fatmirësisht e penguan ata intelektualë dhe arsimdashës, të cilët prioritet e kishin kauzën kombëtare, veçanërisht studentet e asaj kohe të Shkupit dhe Zagrebit. Pikërisht këta studentë, për këtë çështje themeluan Lëvizjen studentore të Shkupit dhe të Zagrebit, për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.
“Në krye të kësaj lëvizjeje në Zagreb ishte Naxhi Purde, ndërsa në Shkup ka qenë Abdurrahim Taravari, student i Shkupit. Për këtë veprimtari patriotike udhëheqësit e kësaj lëvizjeje u arrestuan dhe u dënuan nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë nga sistemi komunist.
Abdurahim Taravari u dënua me 10 vjet burg, Naxhi Purde u dënua me 7 vjet burg, Mevahip Purde me 6 vjet burg, Abdylazis Taravari me 3 vjet burg, Adnan Agai me 7 vjet burg, Sherafedin Agai me 5 vjet burg, Murtezan Bajraktari me 6 vjet burg, etj. Ata së bashku me Abdulaqim Doganin e morën flakadanin nga të parët tanë, e mbajtën fortë në duar dhe na rrëfyen rrugën për të ardhmen e ndritur. Bekuar qoftë vepra e tyre, duke e ndritur rrugën që kanë trasuar gjeneratat në vijim! Lavdi të gjithë arsimdashësve për këtë ditë të shënuar! Gëzuar dita e mësuesit!”, shkruan Nazif Selimi, studiues.