Sekuestrohen në Durrës 80.000 litra naftë kontrabandë
80 mijë litra naftë, e dyshuar si kontrabandë janë bllokuar nga policia në Durrës në një peshkarexhë. Uniformat blu kanë shpallur në kërkim 3 persona në lidhje me këtë rast, administratorin Alban Malindi, kapitenin Flamur Aliu dhe mekanikun e peshkarexhës, Nuri Xheka.
“Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasit: A. M., 38 vjeç, banues në Durrës, administrator i peshkarexhës; F. A., 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarexhës; N. Xh., 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës. Në vijim të veprimeve u bë sekuestrimi i peshkarexhës dhe i sasisë së naftës të dyshuar të kontrabanduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet thonë se për këtë ngjarje kanë marrë informacion në rrugë operative se në Portin e Durrësit ishte ankoruar një peshkarexhë me naftë të dyshuar kontrabandë.
Tre personat e shpallur në kërkim kishin përshtatur një depozitë në peshkarexhë për naftën e kontrabanduar. Për këtë arsye ata shmangnin detyrimet doganore.
Peshkarexha doli në det pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare. Po ashtu, në mënyrë që të mos identifikoheshin, ata fikës GPS, por në fund u kapën nga policia.
Në veprimet e para hetimore morën pjesë edhe Policia Kufitare, Dega Doganore Durrës, Antikontrabanda Detare dhe FSPD Port Durrës./tvklan.al