Sekretari i Përgjithshëm i OKB apelon: Të ndalet dhuna mes Izraelit dhe palestinezëve
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se dhuna midis Izraelit dhe palestinezëve duhet të ndalojë menjëherë.
“Forcat izraelite të sigurisë duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të kalibrojnë përdorimin e forcës”, tha Guterres përmes një deklarate për media.
“Hedhja e raketave dhe mortajave drejt zonave të populluara të Izarelit është e papranueshme”, shtoi ai.
“Kombet e Bashkuara po punojnë me të gjitha palët përkatëse për të qetësuar urgjentisht situatën”, tha Guterres.
Së paku 30 njerëz raportohet të jenë vrarë në dhunën midis Izraelit dhe militantëve islamikë të Hamasit, që është intensifikuar mbrëmjen e kaluar.
Në mesin e viktimave thuhet të jenë së paku dhjetë fëmijë.
Autoritetet shëndetësore në Gaza – rajon që kontrollohet nga grupi militant i Hamasit – thanë se mbi 120 njerëz u plagosën, shumica nga sulmet ajrore izraelite.
Ushtria e Izraelit tha se së paku 16 të vrarë ishin militantë.
Militantët e Gazës, ndërkohë, hodhën qindra raketa drejt Izraelit, duke vrarë dy civilë izraelitë dhe duke plagosur së paku 10 të tjerë.
Hamasi tha se po vepron për të mbrojtur xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit nga “agresioni” i Izraelit.
Ditëve të fundit, lokacioni ku ndodhet kjo xhami, që është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë, ka parë përleshje të rënda midis policisë izraelite dhe palestinezëve, të cilat kanë lënë qindra njerëz të plagosur.
Bregu Perëndimor po ashtu ka qenë skenë e dhunës.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hamasi “ka kaluar vijën e kuqe” duke hedhur raketa në drejtim të Jerusalemit dhe se vendi i tij do të përgjigjet “me forcë të madhe”.
“Qysh dje, ushtria ka kryer qindra sulme kundër Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Gaza… dhe ne do ta intensifikojmë më tej fuqinë e sulmeve tona”, tha Netanyahu në një video të lëshuar nga zyra e tij.
Ai shtoi se Hamasi “do të goditet në mënyra që nuk i pret”./REL