Maqedoni

SEANCA KONSTITUIVE E KUVENDIT: E HAPË MERITA KOXHAXHIKU, E MBYLLË AFRIM GASHI! PAS 16 VITEVE BDI KALON NË OPOZITË!

Gashi pritet të zgjedhet kryetar i Kuvendit në seancën konstituive të caktuar për nesër, me çka koalicioni i dakorduar politik mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, do të fillon të marë edhe formën institucionale.
Seancën konstituive do e hapë deputetja Merita Koxhaxhiku nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, por do e mbyllë Afrim Gashi si kryetar i ri i Kuvendit.

Në këtë seancë, krahas certifikimit të mandateve dhe zgjedhjes së komisioneve përkatëse, Agjencia e lajmeve Zhurnal mëson se pritet që të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Gashi vjen si propozim i Vlen pas koalicionit me VMRO DPMNE. Me këtë, për herë të parë pas 16 viteve qeverisje të pandërprerë, BDI pritet të kalojë në opozitë. Nuk dihet nëse akti do të përcillet edhe me ndërrimin e karrigeve në Kuvend, nga ana e majtë ku kanë qenë ukur deri tani, apo do të mbeten aty ku kanë qenë.

Si do të veprojnë BDI dhe Fronti Evropian?

Seanca konstituive në njëfarë mënyre do jetë edhe treguesi i parë për qasjen e opozitës së re në funksionimin e Kuvendit. Nga LSDM nuk priten reagime më të ashpra, por ende nuk dihet si do të jetë qasja e BDI-së, respektivisht koalicionit Fronti Evropian. Ky Front konteston koalicionin e ri qeverisës, duke pretenduar se VLEN nuk është përfaqësues legjitim i vullnetit të shqiptarëve, prandaj ka pasur dilema se mund të kenë qasje bllokuese ndaj procedurave për formimin e Qeverisë së re. Nëse aplikon Fronti Evropian këtë strategji, seanca konstituive mund të zgjasë jo një ditë, por te ditë, sa edhe është afati maksimal ligjor.

Shumë deputetë do të betohen në Kuvend, së shpejti do të kalojnë në Qeveri!

Në seancën e nesërme konstituive parlamentare do të betohen ish-ministra, ish-drejtorë, mjekë, ekonomistë. Brenda tre ditëve, përbërja e re parlamentare duhet të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe anëtarët e komisionit verifikues. Për herë të parë mandat deputeti ka marrë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai shkurtë do të qëndrojë në bankat e Kuvendit, sepse do të jetë mandatar dhe kryeministër i ardhshëm, shkruan Zhurnal. Mandati për formimin e qeverisë pritet t’i jepet javën e ardhshme dhe brenda 20 ditësh duhet të propozojë kabinetin e ri qeveritar dhe programin e punës. Ndoshta nuk do të jetë i vetmi, sepse pritet që edhe deputetë tjera nga “majat e listave” të kalojnë në kabietin qeveritar. Nënkryetarja dhe nënkryetarët e VMRO-DPMNE-së Gordana Dimitrieska-Koçoska, Aleksandar Nikoloski, Gjorgija Sajkoski dhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Vllado Misajlovski përmenden në kombinime të tilla, edhe pse morën mandate parlamentare në zgjedhjet e 8 majit. Ish-ministri i bujqësisë nga qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Ljupço Dimovski, mjeku Sinisha Stojanoski që fitoi mandatin e dytë, si dhe ish-ministrja teknike e punës dhe politikës sociale, Rashela Mizrahi do të ulen në përbërjen e Kuvendit të ri.

Mandat të ri fituan edhe deputetët aktualë, si Beti Stamenkoska-Trajkoska, Mile Lefkov, Ljupço Prenxhov, Ivanka Vasilevska, Zhaklina Peshevska, Bojan Stojanovski, Dragan Kovaçki, Nikola Micevski dhe Toni Jareski. Mes tyre me mandat të katërt është edhe kreu i Partisë Demokratike të Serbëve, Ivan Stoilkoviq. Për herë të parë në bankë do të ulen ish-lideri i studentëve dhe këshilltari në komunën e Kisella Vodës, Ivan Zhivkovski dhe zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva. Nga LSDM-ja dhe koalicioni i saj, në përbërjen e re parlamentare hyjnë ish-kryeministri dhe lideri i LSDM-së në dorëheqje Dimitar Kovaçevski, kryetarja e PLD-së Monika Zajkova, Goran Misovski dhe Sonja Mirakovska nga PRSD-ja. Në bankat parlamentare do të ulen edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe kolegu i tij zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bitiqi, si dhe gjashtë ministra të qeverisë së kaluar nga portofolet e bujqësisë, kulturës, mbrojtjes dhe transportit: Ljupço Nikolovski, Biserka Kostadinovska Stojçevska, Slavjanka Petrovska dhe Blagoj Boçvarski. Në grupin parlamentar të LSDM-së do të jenë edhe kryetari aktual i Kuvendit Jovan Mitreski dhe kirurgu dhe ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, si dhe ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska dhe drejtoresha e Drejtorisë së të hyrave publike Sanja Lukarevska.

Në bllokun politik shqiptar, përbërja e re parlamentare do të jetë e larmishme, me numër më të madh ekonomistësh, pasuar ga mjekët. Shtatë nga deputetët e rinj të Frontit Europian dhe koalicionit VLEN kanë përfunduar studimet për ekonomi, gjashtë për mjekësi dhe të tjerët janë juristë, filozofë, pedagogë, historianë etj. Deputet me profesionin e ekonomistëve nga koalicionet e Frontit Evropian dhe VLEN janë: Ilire Dauti, Elmi Aziri, Musa Xhaferi, Ismail Jahoski (Koalicioni i Frontit Evropian), Izet Mexhiti, Rijad Shaqiri, Sadik Sulejmani (koalicioni VLEN). Në këtë përbërje parlamentare do të jenë pesë mjekë nga Fronti Europian dhe një nga koalicioni VLEN. Deputetët me profesion mjek në përbërjen e re parlamentare nga koalicioni i Frontit Evropian janë: Ilir Hassani – kirurg, Ziadin Sela – internist, Menduh Thaçi– stomatolog, Bejxhan Iljaz– mjek i përgjithshëm, Ilir Demiri – infektolog. Ndërsa nga koalicioni VLEN, Bekim Sali është stomatolog. Të tjerë kanë përfunduar studimet për drejtësi, shkenca dhe teknologji moderne, filozofi, pedagogji, histori etj. Përtej këtyre profesioneve, që janë më të zakonshme, parlamentit të ri nuk do t’i mungojnë as artistët, ushtarët, madje edhe teologët. Përbërja e re kuvendore sjell edhe deputeten e parë me mbulesë në Kuvendin e Maqedonisë, e ajo do të jetë Imërlije Saliu, e cila mandatin akoma e ka me një pikëpyetje, për shkak të ankesës së re të Frontit Evropian për rivotimin në fshatin Llërcë të Zhelinës./Zhurnal