Sali: I posedojmë të gjitha vaksinat e nevojshme për fëmijët
Është e nevojshme të rritet mbulimi me vaksinën MMR. Për këtë qëllim, së bashku me UNICEF-in dhe me mbështetje të OBSH-së, po fillojmë me aktivitete të përbashkëta për ta afirmuar efektin e vaksinave të rregullta për fëmijë, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
“Synimi është që të arrijmë te sa më shumë prindër dhe t’i inkurajojmë ata që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre në kohën e duhur.
Të gjitha vaksinat, që janë pjesë e Kalendarit Nacional të Imunizimit, janë të disponueshme për çdo fëmijë dhe janë jashtëzakonisht të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit”, tha Sali.
Ai shtoi se Për ta arritur mbulimin e rekomanduar prej 95 për qind, ka filluar puna e intensifikuar në terren për t’i gjetur dhe ftuar fëmijët e pavaksinuar, përmes dërgimit të porosive SMS për prindërit që e kanë vonuar vaksinimin e fëmijëve të tyre, si dhe përmes fuqizimit të rrjetit rajonal të koordinatorëve në qendrat e imunizimit në gjithë vendin.