Rusia vrau 5 ushtarë të Ukrainës, Alarmon Pentagoni: Sulmi rus ndaj Ukrainës mund të nisë që sot
“Kievi ka kryer tashmë disa operacione ndëshkuese kundër Donbasit dhe duket se po futet në një tjetër. Zhvillimet e fundit tregojnë se autoritetet ukrainase nuk kanë ndërmend të zbatojnë marrëveshjet e Minskut”.
Kështu është shprehur këtë të hënë Vladimir Putin, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit Rus.
Lideri i Kremlinit, tha se vendimi për njohjen ose jo të dy republikave të vetëshpallura të Donbasit, do të merret “në bazë të zhvillimeve të situatës”, siç raporton agjencia e lajmeve “Tass”.
Nëse Ukraina hyn në NATO, “kërcënimet do të rriten në mënyrë dramatike. SHBA më ka siguruar se një moratorium për hyrjen e Ukrainës në NATO është i mundur”.
Ndërkohë, sipas Pentagonit, Rusia mund të sulmojë Ukrainën edhe sot (e hënë, 21 shkurt), por ka ende vend për diplomaci.
Kështu u shpreh për CNN zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. “Ajo që ne kemi parë prej disa kohësh, është se një pushtim rus mund të ndodhë në çdo kohë, për shembull sot. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë dhe kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të përdorim të gjitha kanalet e mundshme diplomatike”.
Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se Rusia ka nisur planin për pushtimin e Ukrainës, sipas BBC
Një zëdhënës i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka thënë në një konferencë për mediat se raportet e inteligjencës sugjerojnë se presidenti rus Vladimir Putin synon të nisë një pushtim të Ukrainës.
“Sipas informacioneve të inteligjencës, Rusia synon të nisë një pushtim dhe se plani i Presidentit Putin tashmë ka filluar”, u tha zëdhënësi gazetarëve.
Rikujtojmë se situata vazhdon mbetet e tensionuar pavarësisht se presidenti amerikan Joe Biden pranoi paraprakisht të mbajë një samit me homologun e tij rus Vladimir Putin. Ndërkohë që nga ana tjetër Moska deklaroi se ekzistonte mundësia e një takimi mes dy liderëve por se ende nuk ka një plan konkret.
Sipas agjencisë së lajmeve pro qeveritare ruse “RIA” ushtria ruse ka vrarë pesë ushtarë ukrainas në kufi. Ushtarët u vranë teksa forcat ruse shkatërruan një autoblind ukrainas, i cili sipas tyre kishte hyrë në territorin e Rusisë.
Në lindje të Ukrainës vijojnë bombardimet e rebelëve pro rusë ndaj ushtrisë së Ukrainës, megjithatë nuk ka ende një konfirmim nga burime të paanshme të vrasjes së pesë ushtarëve ukrainas nga ushtria ruse brenda kufirit të Federatës së Rusisë. Megjithatë, Kievi mohoi se kishte dërguar “diversantë” në Rusi: “Asnjë nga njerëzit tanë nuk e kaloi kufirin me Rusinë dhe as nuk u vra sot”.