Rusia paralajmëron përshkallëzim të luftës: Ukraina do të sulmojë Krimenë
“Komanda e forcave të armatosura të Ukrainës po planifikon të kryejë sulme në territorin rus, përfshirë Krimenë, me raketa HIMARS dhe raketa Storm Shadow”.
Kështu u shpreh ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoigu në një takim të bordit të ministrisë të martën, shkruan Tass.
“Sipas të dhënave tona, udhëheqja e forcave të armatosura ukrainase po planifikon të kryejë sulme në territorin e Federatës Ruse, përfshirë Krimenë, me raketa HIMARS dhe Storm Shadow”, tha ai.
Shoigu theksoi se përdorimi i këtyre armëve jashtë zonës së operacionit special ushtarak do të shkaktonte sulme të menjëhershme nga Rusia në qendrat vendimmarrëse në Ukrainë dhe do të nënkuptonte përfshirjen e plotë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në konflikt.
“Që nga 4 qershori, ushtria ukrainase ka nisur 263 sulme ndaj pozicioneve të trupave ruse. Falë veprimeve kompetente dhe vetëmohuese të njësive tona, të gjitha u zmbrapsën dhe kundërshtari nuk ia arriti qëllimit”, shtoi ai.