Rajon - Botë

Rusia paralajmëron: Furnizimi i Ukrainës me armë bërthamore çon në kolaps global dhe të pakthyeshëm

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova të mërkurën deklaroi se nëse Perëndimi furnizon Ukrainën me armë bërthamore, kjo do të çonte në fundin e ekzistencës së njerëzimit në planet, raporton Anadolu.

E pyetur në një konferencë për media në Moskë nëse Rusia i sheh si të mundshme dërgesat e armëve bërthamore në Ukrainë, Zakharova tha: “Pse duhet të komentojmë për çmendurinë e tyre të mundshme ose kontrollin e mundshëm të çmendurisë? Kjo nuk është tema jonë”.

Zakharova theksoi se në muajt e fundit, autoritetet ukrainase ndërmorën hapa që dëmtojnë interesat e vendit të tyre dhe të popullsisë së saj. “Nëse ata duan kolaps global, të pakthyeshëm, atëherë ata do ta bëjnë atë (do t’i dërgojnë armë bërthamore Ukrainës). Ju mund të shihni se çfarë po ndodh. Regjimi i Kievit është gati të shkatërrojë tokën e tij. Ata janë të gatshëm ta infektojnë atë me uranium të varfëruar, ta vërshojnë me ujë dhe ta helmojnë me amoniak”, tha ajo.

Zakharova tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe ekipi i tij po shndërrohen në “një organizatë terroriste ndërkombëtare”.

“Kjo është një celulë e vërtetë terroriste edhe atë ndërkombëtare, sepse ka instruktorë dhe mercenarë të huaj. Ata janë të lidhur me tregun e zi të armëve, trafikun e paligjshëm të parave, njerëzve, shitjen e paligjshme të pjesëve të trupit, një garniturë e tërë që karakterizon terrorizmin ndërkombëtar”, tha ajo.

Për muaj të tërë, Moska ka shprehur shqetësim për ndryshimin e llojeve të armëve me të cilat është furnizuar Ukraina, që filloi me armë të vogla dhe tani përfshin furnizimin me avionë luftarakë. Autoritetet ruse argumentojnë se armët e dërguara për mbrojtjen e territorit të Ukrainës përdoren për sulme në territorin rus.

“Nëse dikush në Perëndim dëshiron të shuaj gjithçka në këtë planet, si dritën ashtu edhe në parim ekzistencën, atëherë ndoshta do të fillojnë të furnizojnë regjimin e Kievit me armë bërthamore. Por, atëherë ky është fundi. I gjithçkaje. Thjesht duhet të pranohet menjëherë”, theksoi ajo.

Duke komentuar kritikat për rifillimin e fluturimeve direkte midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, Zakharova tha se vendimi ishte marrë “për të siguruar kontakte midis popullit gjeorgjian dhe atij rus”, gjë që “përputhet objektivisht me interesat e popullatës së zakonshme”.

“Fluturimet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë nuk shkelin asnjë regjim sanksioni, pavarësisht paligjshmërisë së tyre (sanksioneve). Kjo i huton përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, të cilët nuk ndalen në përpjekjet e tyre për të diktuar vullnetin e tyre, për të vendosur standarde të dyfishta mbi shtetet dhe për të minuar situatën në rajon”, tha ajo.

E pyetur për marrëveshjen e Karabakut, Zakharova tha se Rusia e sheh si prioritet “konvergjencën e qasjeve të Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të balancuara”.

“Sa u përket veprimeve të SHBA-së dhe BE-së, lind pyetja se çfarë e shkaktoi rritjen e papritur të aktivitetit të tyre në fushën e normalizimit armeno-azerbajxhanas. Më parë, askush nuk i kushtonte shumë vëmendje problemit transkaukazian”, shtoi ajo.

Duke komentuar mundësinë e një vizite të ministrit të ri të Jashtëm turk Hakan Fidan në Rusi, Zakharova tha: “Ne ndjekim deklaratat e palës turke”. Ajo tha se në ndërtimin e marrëdhënieve me Ankaranë, Moska fokusohet në deklaratat e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me synimet për zhvillimin e marrëdhënieve të shumëanshme me Rusinë, që plotëson interesat e dy vendeve.

“Mirëpresim një qëndrim të tillë konstruktiv. Nga ana jonë, ne do të inkurajojmë zbatimin e një qasjeje të tillë dypalëshe dhe do të ndjekim rezultatet që duhet të paraqiten”, deklaroi Zakharova.