Rajon - Botë

Rusia konfirmon: Prigozhin ka vdekur në aksidentin ajror

Autoritetet ruse kanë konfirmuar vdekjen e kreut të grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, në aksidentin ajror që ndodhi pasditen e së mërkurës në veri të Moskës.

Nuk ka asnjë person të mbijetuar në rrënojat e avionit të rrëzuar, thonë autoritetet ruse.

Ndërkohë, nga Kremlini apo nga Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka asnjë koment për vdekjen e Prigozhin.

Ky i fundit, 2 muaj më parë, tentoi të bënte grusht shteti në Moskë, duke kapur në befasi ushtrinë ruse, por u tërhoq.

Vetëm 2 ditë më parë, Prigozhin u shfaq në një video nga Afrika.

Megjithatë, mbështetës të mercenarit më të fuqishëm rus kanë akuzuar shtetin rus për vdekjen e Prigozhin, ndërsa të tjerë drejtojnë gishtin nga Ukraina, që sot feston Ditën e Pavarësisë.

Sipas të dhënave të gjurmimit të avionit me të cilin udhëtonte Prigozhin, aeroplani nuk kishte shfaqur asnjë defekt teknik, por vetëm gjatë 30 sekondave të fundit duke bërë një rënie të shpejtë.

Shkaqet e rrëzimit të avionit do të hetohen nga autoritetet ruse. /tvklan.al