Rusia gjuan anijen britanike, gazetari rrefen tmerrin
“Avionët luftarakë rusë po na fërshëllenin mbi koka. Zëri i zëmëruar i topave të shurdhonte. Ekuipazhi ynë po bënte gati raketat Viper…Luftëra kanë nisur për arsye të ngjashme…”
Kështu e përshkruan Mark Nichols, editor ushtarak i Daily Mail, incidentin që u regjistrua të mërkurën në Detin e Zi mes anijes britanike dhe palës ruse. Nichols ndodhej në bordin e destrojerit britanik “Defender” kur anija u qëllua në formë paralajmërimi në Detin e Zi nga anijet luftarake ruse.
“Sapo Rojet Bregdetare Ruse hapën zjarr, marinarët britanikë nxituan të vendosnin pajisjet e tyre personale të mbrojtjes, nga frika se anija mund të merrte një goditje direkte – dhe jo vetëm të shtëna paralajmëruese,” rrëfen më tej gazetari.
Sipas tij, episodi zgjati rreth një orë ndërsa theksoi se ky rast ishte përshkallëzimi më i rrezikshëm i tensioneve midis Britanisë dhe Rusisë pas helmimeve në Salisbury, në 2018. Sulmi ndodhi në momentin kur anija britanike kaloi pranë pjesës jugore të gadishullit të Krimesë që është pushtuar nga Rusia prej 7 vitesh tashmë.
Pala ruse tha se qëlloi në formë paralajmërimi në momentin që “Defender” kaloi në ujërat territoriale të Krimesë , duke shkelur kufijtë detarë me dy milje detare.
Sidoqoftë, Perëndimi nuk e ka njohur pushtimin e Krimesë nga Rusia, dhe për këtë arsye, vendet e NATO-s i konsiderojnë ujërat e rajonit si ukrainas dhe jo rusë. Mbi të gjitha, të enjten, kryeministri Britanik Boris Johnson e përshkroi kursin e ndjekur nga anija britanike si “absolutisht të saktë” – dhe përsëriti se ai nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia. s.b/abcnews.al/