Maqedoni

Rubin: Në Ballkanin Perëndimor ka problem me dezinformatat ruse

I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin fillon sot turin në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri për të diskutuar mbi luftën kundër dezinformatave ruse dhe do të diskutohet edhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Rubin do të vizitojë Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën nga sot deri më 14 prill, njoftoi të shtunën Departamenti i Shtetit, shkruan N1.

“Ai do të takohet me zyrtarë qeveritarë në Podgoricë dhe Shkup për të forcuar mbështetjen për iniciativat kundër dezinformimit. Ata do të diskutojnë përpjekjet e Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformimin për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën dhe se si vendet tona mund t’i kundërshtojnë së bashku kërcënimet në hapësirën e informacionit”, thuhet në deklaratë.

Rubin u shpreh para mbërritjes së tij se ka një problem të dezinformimit rus në Ballkanin Perëndimor; në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë rajonin.

“Dua të punoj me qeveri që duan të jenë pjesë e sistemit evropian dhe ku respektohen parimet evropiane. Ne duam të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të eliminuar ndotjen e mjedisit mediatik”, theksoi ai./abcnews.al