Maqedoni

Rruga e vështirë e Alirizait nga Afganistan, të strehuarit në Shkup kërkojnë berberë dhe këmbimore

Këta të rinj janë në mesin e 149 të strehuarve afganë në Shkup.

Kohën e kalojnë duke u shoqëruar me njëri-tjetrin dhe duke luajtur.

Njëri prej tyre thotë se rruga që bënë për të shpëtuar ishte shumë e gjatë dhe stresuese.

“Zona në Kabul ishte shumë e keqe ne duhej të udhëtojmë Mazari Al Sharif dhe mandej kemi udhëtuar nga atje për në Gjeorgji, dhe prej atje kemi ardhur këtu në Maqedoni në Shkup”, tregon Alirizai, qytetar afgan.

Rrëfen se disa prej familjarëve të tij ende janë në Afganistan, e nga ato që ka mësuar përmes telefonit i kanë thënë se ndihen të frikësuar.

“Ata gjithashtu janë të frikësuar, natën e kaluar kam kontaktuar me familjarë që janë ende në Kabul kam biseduar me ta, janë shumë të frikësuar sepse para disa dite kur, ushtria amerikane janë larguar nga aeroporti talebanët kanë hapur zjarr në ajër”, shton më tej ai.

Nga Qeveria ripërsërisin se nuk bëhet fjalë për refugjatë, por për njerëz të cilët kanë punuar në organizata ndërkombëtare dhe të cilët janë në qëndrim të përkohshëm në vend.

“Me të gjithë kapacitetin janë kahëzuar të gjitha forcat e institucioneve në shtet t’u ndihmohet këtyre njerëzve të cilët nuk janë refugjatë, por janë njerëz të punësuar në organizata ndërkombëtare dhe të cilët vijnë në Maqedoninë e Veriut për një periudhë të caktuar derisa të rregullohen të gjitha dokumentet për vazhdimin e tyre deri në destinacionin përfundimtar – SHBA ose në vendet e treta”, tha Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.

Qytetarët afganë me të cilët sot foli TV21, thonë se më së shumti u nevojitet berber dhe këmbimore, që të mund të blejnë gjëra elementare për të cilat kanë nevojë. Sa i përket akomodimit dhe mikpritja është në nivel, pohojnë ata./TV21