Rajon - Botë

Rritet në 4.137 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza

Numri i të vdekurve në Gaza për shkak të bombardimeve të vazhdueshme të Izraelit është rritur në 4.137, thanë sot zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e rrethuar, transmeton Anadolu.

Numri i të plagosurve është rritur në 13.300, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf Qudra në një konferencë për shtyp, duke shtuar se mbi 1.000 të tjerë janë të zhdukur.

Të paktën 16 të krishterë palestinezë gjenden në mesin e atyre që u vranë në sulmet e drejtpërdrejta izraelite në një kishë ortodokse greke të enjten në mbrëmje në qytetin e Gazës.

“Shtatë spitale në Rripin e Gazës janë plotësisht jashtë shërbimit për shkak të sulmeve izraelite”, tha Qudra.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm shumëdimensional që përfshiu një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës, së bashku me shtimin e bastisjeve dhe arrestimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Zyrtarët kanë thënë se më shumë se 1.400 njerëz në Izrael kanë vdekur në konflikt.