September 22, 2024
BOTA

Rriten tensionet mes Izraelit dhe Libanit, Hezbollahu lëshon 100 raketa në Izrael

Tensionet në rritje mes Izraelit dhe Hezbollahut libanes janë kthyer në makth për banorët e të dyja shteteve. Pas vazhdës së sulmeve izraelite në Bejrut, Hezbollahu libanez lëshoi mbi 100 raketa drejt Izraelit verior. Shumica e raketave u përgjuan dhe asgjësuan, njofton ushtria izraelite.

Por, raketat që u lëshuan drejt Haifës dhe rrethinat e saj, shkaktuan dëme më të rënda, konkretisht në qytetin Kiryat Bialik, raportohet për tre të plagosur. Ndërkohë Hezbollahu thotë se ka goditur komplekset industriale që i përkasin kompanisë izraelite të mbrojtjes Rafael, dhe nuk ka pasur shënjestër civilët. Izraeli thotë se aktualisht është duke sulmuar gjerësisht Libanin.

“Në orën e fundit jemi duke sulmuar gjerësisht në Libanin jugor pas identifikimit të përgatitjeve të Hezbollahut për të qëlluar në territorin izraelit. Dhjetra avionë luftark izraelit kanë shkatërruar objektivat terrorriste dhe raketahedhëset, për t’ua larguar rrezikun civilëve izraelit”, u shpreh zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari.

“Diçka të tillë e shihni vetëm në filma. Diçka e tillë në jetën reale është diçka që është e vështirë të imagjinohet”, theksoi banori i Kirayt Bialik, Marti.

“Për fat fqinji nuk ishte në shtëpi. Çfarë makthi, kam jetuar gjithmonë me një ankth. Gjatë gjithë kohës kam qenë jashtë vendit. Dhe tani jam kthyer, dhe kjo më ka ndodhur mua, ligji i Murfit”, u shpreh banorja e Kiryat Bialik, Yana.

“E gjithë shtëpia ime është shkatërruar, kopshti i mrekullueshëm është zhdukur. Shkatërrim total, por fatmirësisht unë jam mirë”, theksoi banori i Kirayt Bialik.

Ministri i Mbrojtjes së Libanit, tha se përgatiten për t’u mbrojtur nga sulmet e reja të mundëshme, duke monitoruar cdo aktivitet të dyshimt. Ai pranon se situata është mjaft kritike.

“Situata e sigurisë është delikate dhe e rrezikshme, ju bëj thirrje forcave të sigurisë dhe atyre ushtarake të monitorojnë nga afër çdo aktivitet të dyshimtë ose shqetësues për të parandaluar çdo shkelje apo sulme të tjera në zonat e banuara. Libani aktualisht është në një situatë kritike që kërkon ndërgjegjësim dhe solidaritet. Dua të ritheksoj se ajo që po ndodh nga sulmet, veçanërisht ndaj civilëve pa asnjë dallim, është një krim i qartë lufte dhe këtë e kanë përmendur edhe zyrtarët e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ministri i brendshëm i Libanit, Bassam Mawlawi.

Pavarsisht thirrjeve të vazhdueshme për armpushim kryemsintiri izraelit Netanjahu vazhdon me mesazhe kërcënuese.

“Ditëve të fundit, ne i kemi shkaktuar një sekuencë goditjesh Hezbollahut që ata nuk mund ta imagjinonin. Nëse Hezbollahu nuk e ka kuptuar mesazhin, ju premtoj – që shumë shpejt do ta kuptojë. Ne jemi të vendosur për t’i kthyer banorët tanë në veri në shtëpitë e tyre të sigurtë, asnjë vend nuk mund të tolerojë të shtënat mbi banorët e tij, të shtënat në qytetet e tij – dhe ne, shteti i Izraelit, nuk do ta tolerojmë atë”, theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sulmet ndaj Libanit këtë javë treguan se qeveria izraelite e kishte në plan ta përhapte luftën në rajon, ka deklaruar presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke u bërë thirrje vendeve perëndimore të marrin “masa parandaluese” kundër veprimeve të Izraelit.

Ditëve të fundit sulmet me bipera dhe radiolidhëse bombë që shpërthyen në Liban lanë më shumë se 3000 të plagosur dhe 42 të vdekur në të gjithë Libanin.