Rriten çmimet e banesave në Strugë, shtohet interesimi për blerje
Ndërtimet e reja dhe interesimi i lartë për blerje, ka bërë që sektori i patundshmërisë në Strugë të jetë vazhdimisht në rritje. Edhe pse viteve të fundit ka pasur një rritje të çmimeve në patundshmëri, interesimi mbetet i lartë. Kjo për shkak se ka ndryshuar mënyra e investimeve në patundshmëri, sepse viteve të fundit blerja e një banese nuk bëhet vetëm për strehim të familjes, por shihet edhe si investim për siguri apo reputacion. Nga agjencionet për patundshmëri thonë se çmimet pësojnë rritje të ëmbël nga viti në vit, megjithatë prioritet për blerësit tani është lokacioni e më pas çmimi. Çmimet variojnë nga 1000 deri në 1600 euro metër katrori, në lokacionet më të kërkuara.
“Rrjedha ështëe njëjtë, në vazhdimësi ka rritje, ka objekte rë reja, ka interesim. Rritje çmimesh, kjo pjesa që ka buzë drinit dhe liqenit kanë një rritje të vogël, të ëmbël, përndryshe pjesa tjetër është në rrjedha normale, 1000-1200 euro katrori, kurse kjo pjesa tjetër kap 1500 deri në 1600 euro metër katrori, flasim për banesa. Ndërsa për parcelat e ndërtimit njëjtë ka rrjedhë normale, ndërsa pjesa më atraktive ka një rritje prej 30%.”, u shpreh Inajet Pollozhani, pronar i një agjencioni për patundshmëri.
Megjithëse ka interesim për shit-blerje të banesave dhe parcelave, nga agjencionet për patundshmëri thonë se në Strugë ka nevojë që të hapen fusha të reja të patundshmërisë.
“Ashtu si edhe në shumë fusha të tjera, edhe në këtë biznes, duhet një koordinim shumëfish më i mirë i pushtetit qëndror dhe lokal, që së pari këtë periudhë 30 ditëshe kur kemi prurje aq të madhe ti kemi institucionet më të përgatitura, ndërsa pjesa tjetër, Struga ka nevojë për fusha të reja që të hapen, që të mundemi tregut ti ofrojmë tipe tjera të patundshmërisë, lagje elitare, hotele elitare.”, tha Pollozhani.
Zonat më atraktive për blerje të banesave në qytetin e Strugës janë buzë drinit të zi dhe liqenit. Edhe pse më herët ka pasur interesim për blerje në afërsi të qendrës së qytetit, viteve të fundit kërkohen edhe zonat në periferi, për shkak të qetësisë që posedojnë këto zona.