July 3, 2024
Maqedoni

Rreth një vit punime për rikonstruimin e 400 metrave të shëtitores buzë Drinit, Komuna e Strugës e vlerësoi si “projekt madhështor”

Pas një viti përfundoi rikonstruimi i shëtitores 400 metra të gjatë, rreth lumit Drinit të Zi në qendër të qytetit të Strugës. Përderisa zvarritja e tepërt e punimeve ndikoi në qarkullimin e të gjitha bizneseve që gravitojnë në këtë zonë, projekti i rikonstruimit të kësaj shëtitore kaloi mes shumë kritikash e skepticizmi në opinionin publik. Autoritetet komunale u akuzuan për mungesë transparence në realizimin e këtij projekti ndërkohë shumë qytetarë struganë nuk janë dakord me konceptin e ri të shëtitores, shkruan Portalb.mk.

Punimet për rikonstruimin e shëtitores filluan më 8 maj të vitit 2023 dhe sipas kontratës së lidhur mes Komunës së Strugës dhe kompanisë së kontraktuar punimet duhej të përfundonin brenda 75 ditësh megjithatë u deshën rreth një vit në ndërtimin e një shëtitore vetëm 400 metra të gjatë. Nga Komuna e Strugës zyrtarisht e uruan finalizimin e projektit përmes një postimi në “Facebook”, duke e cilësuar si projekt madhështor për qytetin e Strugës. Për tu siguruar se premtimi është realizuar me sukses, kreu i Komunës së Strugës, Ramis Merko kishte dalë personalisht në terren.

“Për këtë element të rëndësishëm urban në qytet, u përjashtuan qytetarët, biznesi dhe punëtorët turistik nga propozim-ideja dhe vendimmarrja. Jo transparencë në dizajnim dhe projektim, në botë për pika të këtilla, animohen arkitekt, shtëpi projektuese dhe shoqata të interesit. Jo transparencë gjatë zbatimit të punimeve, punimet u tej zgjatën (paramendoni për 400 m gjatësi asfalt – afër 400 dite punë) qytetarët edhe sot e kësaj dite akoma nuk e dinë se si do të duket, si do të formësohet kjo pjesë kaq e rëndësishme urbane e qytetit, asnjë tabelë për sqarim për Lejën e Ndërtimit, Projektin, Projektuesin, Zbatuesin, vlerën e punimeve, vizualizimin e hapsirës, Edhe pse punimet kanë nisur para një viti dhe me shumë reagime, nga organet ligj-zbatuese nuk kemi ndigjuar të kenë ndërrmarë ndonjë veprim për sqarim të procedurës së dhënijës së Lejës për ndërtim dhe zbatimit të punimeve, edhe pse bëhet fjalë për pronë publike, dhe pjesë të qytetit me interes vital të qytetarëve, etj, etj.” tha Lulzim Nasufi.