Maqedoni

Rreth 10 mijë persona në Kosovë kanë investuar në kriptovaluta, Kuvendi në pëgatitje të ligjit

Kosova tashmë është duke përgatitur një ligj, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave digjitale brenda territorit të saj. Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të tatimit, ligji synon të krijojë edhe një evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë.

Granit Kadolli, nga Prishtina, një “vlerë simbolike” të parave të tij e ka investuar para pesë vjetësh në kriptovaluta, apo, siç njihen ndryshe, para digjitale.

Deri më tani, ai nuk ka paguar ndonjë tatim mbi to, pasi, siç thotë, nga ky investim nuk ka gjeneruar fitime.

“Unë nuk e shoh këtë si përfitim, e shoh si investim për të ardhmen. Prej vitit 2016, qëkur kam investuar, e deri më tani, nuk kam nxjerrë asnjë përfitim. Në të ardhmen, kur do të vendos të nxjerr ndonjë sasi të mjeteve, do t’i deklaroj fitimet, rrjedhimisht do t’i paguaj obligimet tatimore”, thotë Kadolli për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë, rreth 10 mijë operatorë të identifikuar – persona fizikë dhe juridikë – llogaritet se merren me këtë aktivitet, thotë Ferat Shala, kryetar i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës.

Ai thotë se kjo shifër është e institucioneve përgjegjëse, por nuk sqaron se cilat.

Shala shton se informacione për vlerën e qarkullimit nuk ka.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” [v.j. në shqip: bllok zinxhir].

Ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme në botë, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.

Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.

Investimet në kriptovaluta, sipas ekspertëve, janë spekulative dhe ato mund të rezultojnë me fitime ose humbje të mëdha.