RMV, fëmijët e pavaksinuar prej sot nuk pranohen në kopshte
Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSh) me 8 mars mori vendimin e ministrit të Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Komisionit për Sëmundjet Infektive, për kryerjen e inspektimeve të jashtëzakonshme dhe ndalimin e pranimit në institucionet parashkollore të fëmijëve, të cilët nuk janë të imunizuar apo që nuk janë imunizuar plotësisht, njofton Inspektorati, transmeton Portalb.mk.
Inspektimet e jashtëzakonshme do të nisin sot, datë 11 mars, me vendimin për ndalimin e pranimit të fëmijëve të pa imunizuar ose që nuk janë të imunizuar plotësisht me DTP, si dhe masa të tjera të urdhëruara epidemike, sqaron IShSSh.
Gjithashtu, shtojnë nga atje, personat përgjegjës në institucionet parashkollore do të duhet të përgatisin listën e të gjithë fëmijëve të pavaksinuar me DTP.
Fëmijët me sëmundje të tjera infektive të mos pranohen, ndërsa për çdo mungesë të shtuar të njoftohet Qendra për shëndet publik – Shkup, theksojnë nga Inspektorati.
Kujtojmë se Ministria e Shëndetësisë dje pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive (KSI) për parandalimin e përhapjes së kollës së madhe (pertusis). Ministri Demiri, me vendim ka urdhëruar Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore të parapara me Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive, si dhe të kryejë inspektime të jashtëzakonshme, gjegjësisht inspektim të vërtetimeve të vaksinimit të siguruara nga pikat e vaksinimit për marrjen e vaksinës kundër kollës së madh.
Në një deklaratë për media, zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq, ka bërë të ditur se janë 123 persona të infektuar me pertusis, prej të cilëve numri dominues, 109 persona, janë nga Shkupi.