Rishkruhet historia, Shqipëria në Europian!
Shqipëria në Europian. I duhej një pikë, dhe në Kishinau ndaj Moldavisë, Shqipëria merr pikën që i nevojitej falë barazimit me rezultatin 1-1 dhe siguron matematikisht për të dytën herë në historinë e saj pjesëmarrjen në finalet e një kampionati europian. Kuqezinjtë rezervojnë kështu vendin e tyre në mesin e kombëtareve pjesëmarrëse në Gjermani verën e vitit 2024
Sa i takon kronikës së ndeshjes, ishin moldavët që dhanë shkëndijen e parë të ndeshjes në minutën e 16-të me Nicolaescun, por Berisha priti mjaft mirë në pozicion. Tetë minuta më pas do të vinte edhe momenti vendimtar për kuqezinjtë, me Taulant Seferin që fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë u paraqit Sokol Cikalleshi që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë. Sakaq, katër minuta nga fundi, Bajrami tentoi nga distanca por portieri moldav priti në dy kohë.
Fraksioni i dytë nisi me një goditje të Seferit nga distanca, por sulmuesi nuk e gjeti kuadratin. Nga ana tjetër, Nicolaescu provoi një goditje të fortë, por Etrit Berisha priti mjaft mirë dhe largoi topin në këndore. Në minutat që pasuan, një mundësi e mirë u shfaq për Dakun dhe më pas për Asanin që tentoi nga një goditje dënimi. Megjithatë, në fund, moldavët barazuan me Baboglo, por që nuk prishën festën e Shqipërisë që mori pikën që duhej për t’u kualifikuar në Euro 2024.