RIPOSTIM: Ana tjetër e valvitjes së flamurit gjerman në Radushën time
(RIPOSTIM: Ana tjetër e valvitjes së flamurit gjerman në Radushën time)
Sefer Tahiri
Parmaku me lot
Ishte mëngjes i freskët i verës dhe pasi piva kafenë e mëngjesit në Shkup, meqë nuk ishte ditë e ngarkuar me angazhime, siç janë rëndom shumica prej tyre, krejt pa planifikuar, në sekondat e fundit hipa në furgonin që shpinte drejt fshatit tim të lindjes. Shkupi nuk më mbante atë ditë! Kthimi tek rrënjët, siç po kalojnë vitet, po bëhet gjithnjë e më i theksuar. Sikur ishte habi edhe për vetë shoferin dhe bashkëfshatarët e mi, të cilët viteve të fundit nuk ishin mësuar të më shohin duke udhëtuar drejt vendlindjes. Nuk thanë gjë, por vetëm u përshëndetëm me qetësi. Nuk fola gjë rrugës, ndonëse ajo nuk është e shkurtër. Kur mbërritëm në Radushë, fshatin tim të lindjes u ndala në qendrën e fshatit, që nga fëmijëria e mësova se e quajmë “sokak”. Nuk i kisha njoftuar as të afërmit e mi dhe nuk shkova drejt shtëpisë ku jam rritur, gjë që nuk më ka ndodhur asnjëherë më parë. Një ndjenjë e rrallë, sikur më kishte marrë malli më shumë për vendlindjen, ndoshta për ata që nuk janë më në mesin tonë, sa sa për të afërmit e gjallë. Aty qëndrova me orë të tëra, edhe bashkëfshatarët që shkonin në punët e tyre ose në xhami, habiteshin kur më shikonin, por e vërenin gëzimin që po i takoj, siç edhe ata i gëzoheshin takimit me mua. Ndërsa si në shaka më thoshin “Të shohim, por vetëm në televizor”. Qeshja, pa komentuar gjë, duke iu shmangur temave të debateve politike, sepse politika ishte gjëja e fundit që mendoja atë ditë. Kishte kaluar mesdita dhe drejt kafiterisë vinin tre persona të moshuar, të cilët jetën e tyre e kishin kaluar në Gjermani, pasi fshati im është ndër ata që njihet si i kurbetit. I njihja me emër, por nuk kisha pasur rastin që të bashkëbisedoj me ta. U ulën që të tre dhe filluan bisedën. Të pashmangshme ishin rrëfimet e tyre për jetën e rëndë në “tokën e huaj”. Njëri nga ta, një burrë rreth të 70-tave tek rrëfente tha “Kurbeti ka qenë i vështirë, pasi çdoherë kur shkoja nga shtëpia, e lija pas nënën time me duart e varura në parmak, duke qarë me lot”. Të gjithë, edhe pse 4 veta në tavolinë nuk folëm gjë disa minuta! Ishin momente që të molisnin. Nuk më mbante as këtu më vendi. I përshëndeta thuajse pa zë dhe nisa të ecja rrugëve të vendbanimit tim, duke kujtuar lotët e nënës së bashkëfshatarit tim. Ndjeva dhimbje shumë për nënën e tij ! Ndjeva dhimbje për gjyshen time nga babai, e cila, edhe pse karakter i fortë, qante kur përcillte dy djemtë dhe vajzën e saj të madhe në Danimarkën e ftohtë, siç ndjeva dhimbje edhe për gjyshen time të ndjerë nga nëna, të cilës i rridhnin lotët kur përcillte dy djemtë dhe vajzën e saj në Gjermani. Ndjeva dhimbje edhe për nënën time, për lotët e saj, kur përcjell motrën time në Gjermani ! Parmaku i lotëve nuk ishte një i vetëm. Tashmë isha në një distancë, prej së cilës dukej i tërë katundi dhe dielli i verës kishte rënë mbi parmakë, të cilët sikur ndjenin mërzi. Nuk më mbante më as vendlindja !