Maqedoni

Riatdhesohen luftëtarë të huaj dhe anëtarë të familjeve të tyre, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Mbrëmë vonë Qeveria me sukses e ka përfunduar procesin e riatdhesimit të shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Siria dhe Iraku – katër burra – luftëtarë të huaj, pesë gra dhe 14 fëmijë.

Procesi u zhvillua në përputhje me detyrimet e Republikës së Maqedonisë së Veriut që dalin nga e drejta ndërkombëtare, e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, e drejta ndërkombëtare humanitare, standardet dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Kundër katër luftëtarëve të huaj terroristë, pas dëshmive të siguruara paraprakisht nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme – Byroja për siguri publike, dhe në koordinim me Agjencinë për siguri kombëtare, janë parashtruar kallëzime adekuate penale në pajtim me legjislaturën kombëtare. Për shkak të mosqasjes së tyre për organet e ndjekjes, për ta janë shpallur fletarreste ndërkombëtare, ndërsa në mungesë të tyre, është përcaktuar masë e paraburgimit, me vendim të gjykatësit kompetent”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Qeevria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gratë dhe fëmijët e riatdhesuar do t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore shëndetësore në bazë vullnetare dhe kontrolle të domosdoshme mjekësore, në pajtim me Ligjin për mbrojtje të popullatës nga sëmundje infektive, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.