Rajon - Botë

Rezoluta për Srebrenicën, SHBA: Hap thelbësor për pajtimin

Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës, në Sarajevë, ka reaguar pasi Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e miratoi rezolutën, e cila cakton 11 Korrikun, Ditë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Vitit 1995, në Srebrenicë, që do të shënohet çdo vit.

Përmes një postimi në platformën ‘X’, Ambasada e SHBA-së, në Sarajevë, është shprehur se  SHBA mbështetën me krenari rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të paraqitur nga Ruanda, Gjermania dhe Bosnja dhe Hercegovina, duke përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës në 1995 dhe mirëpret miratimin e saj.

“Mohimi i përsëritur i gjenocidit të Srebrenicës e bën përkujtimin ndërkombëtar të ngjarjeve të vitit 1995 edhe më të rëndësishëm dhe urgjent.   Rezoluta nënvizon se gjenocidi ndodhi në dhe rreth Srebrenicës në korrik 1995, një fakt i padiskutueshëm i vendosur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe një numër i madh provash mjeko-ligjore”, thuhet në postim.

Tutje, Ambasada amerikane thekson se kjo rezoluta nuk synon asnjë shtet anëtar dhe nuk cakton përgjegjësi kolektive për asnjë grup njerëzish.  “Siç e bën të qartë rezoluta, ne të gjithë kemi detyrimin për të pranuar faktet, për të mësuar të vërtetën, për të nderuar viktimat, për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për të ndjekur penalisht autorët.   Këto hapa janë thelbësore për pajtimin”, shkruan ambasada amerikane në postimin e saj.