Maqedoni

Rektori i Universitetit të Tetovës mbajti ligjëratë në Shkollën Verore 2023

Me ftesë të Këndit Amerikan në Tetovë, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli ligjëroi në Shkollën Verore 2023, Journalism and Public Relation for Youth, me temën: “Media, professional codex and political system in North Macedonia”. Ligjërata u realizua më datë 21 gusht, në Kodër të Diellit në Tetovë.
Në prezencën e të rinjve, rektori elaboroi format e pushtetit shtetëror, parimin e unitetit dhe parimin e ndarjes së pushtetit shtetëror, sistemin parlamentar, presidencial dhe të përzier, atributet e shtetit ligjor dhe demokracisë. Në veçanti sqaroi funksionimin e sistemit parlamentar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, institucionet themelore kushtetuese, veçoritë e organizimit dhe veprimtarisë së Kuvendit, Qeverisë, pushtetit gjyqësor, Gjykatës kushtetuese, Avokatit të popullit dhe organizimit territorial.
Gjithashtu prezantoi edhe lirinë e medieve në harmoni me kushtetutën e vendit, rolin e tyre në ndërtimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit ligjor. Njëkohësisht prezantoi edhe atributet kryesore të sistemit amerikan të qeverisjes.
Në këtë shkollë verore ligjëruan edhe përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Unionit Evropian, në Shkup.