Maqedoni

Reagon ASH-ja për arrestimin e Furkan Saliut: Policia e VMRO-LEN arrestoi gazetarin, partnerët derdhin lotë krokodili

Aleanca për Shqiptarët, me kryetar Ziadin Selën, kanë reaguar për arrestimin e gazetarit Furkan Saliu. Sipas tyre, arrestimi është bërë me tendencë nga siç thonë ata, “Policia e VMRO-LEN”.

“Policia e VMRO-LEN arrestoi gazetarin, partnerët derdhin lotë krokodili.

Koalicioni VMRO-LEN po tregon dhëmbët edhe pse vetëm disa javë kanë pushtet mbi policinë. Suksesi më i madh i tyre është arrestimi i gazetarit, Furkan Saliu, në një kohë kur Ministri i Punëve të Brendshme është nga radhët e VMRO-së dhe zëvendësdrejtori i policisë, kuadër i Arben Taravarit. Ky i fundit në vend që të distancohet dhe kërkojë llogari nga kuadrot dhe partnerët e tij, zgjodhi të derdh lotë krokodili dhe të manipulojë me opinionin duke tentuar t’ua hedh fajin të tjerëve.

Ju bëjmë me dije se koha kur arrestoheshin gazetarët ka kaluar me rënien e VMRO-së dhe ajo më nuk do të kthehet asnjëherë. Është e dhimbshme vetëm tentativa e disa shqiptarëve për të amnistuar dhe për të ringjallur atë regjim duke i bërë avokatin me statuse tragji-komike” ka shkruar Aleanca për Shqiptarët në rrjetin social Facebook..