BallinaMaqedoni

Rasti për Grubin dhe Bexhetin në fazë parahetimore / Ageler: Njerëzit nuk arratisen nëse nuk kanë asgjë për të fshehur

Rasti i hapur ndaj ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi dhe gjykatësit të Apelit, Enver Bexheti është në fazën parahetimore, pohojnë nga Prokuroria për TV21. Rasti ka nisur pasi të dy përfunduan në listën e zezë amerikane, për shkak të ryshfetit, për të zvarritur procedurën gjyqësore kundër Sasho Mijallkovit, për përgjimin e paligjshëm.

Këshilli Gjyqësor ka siguruar dokumentacionin për procedurën disiplinore të zhvilluar kundër gjykatësit në fjalë. Po ndërmerren intensivisht edhe veprime të tjera, por duke pasur parasysh fazën në të cilën është procedura nuk mund të ndahen detaje për veprimet e ndërmarra, thonë nga Prokuroria Publike.

Ndaj gjykatësit Bexheti u ngrit procedurë disiplinore në Këshillin Gjyqësor për pretendimet se ka mbajtur lëndë në sirtar, por përfundoi pa vendim për shkarkimin e tij.

Procedurat janë konfidenciale sipas ligjit dhe unë nuk mund të ndaj detaje në këtë moment, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Rastin e ka komentuar edhe ambasadorja amerikane, Anxhela Ageler. Ajo theksoi se është mirë që pas plotësimit të fundit në listën e zezë ka pasur reagim nga ana e institucioneve dhe ka theksuar se dëshmitë janë këtu.

Provat janë këtu, pjesa më e madhe e tyre, jo të gjitha, por pjesa më e madhe e tyre, dhe mundet të hapet lëndë nga ajo që është e disponueshme këtu dhe në rajon. A kemi shpresë në Ambasadë që kjo të ndodhë? Po, por gjithashtu ne nuk e zbatojmë ligjin këtu dhe un nuk do t’ia hapë derën askujt me shqelm, tha Anxhela Ageler, ambasadore e SHBA-ve.

Ndërkohë Grubi nuk është i kapshëm për organet pasi u largua nga vendi kur po hapej hetimi për krim në “Lotarinë shtetërore”. Ageler, në një podcast, theksoi se nuk e di ku gjendet Grubi, por shtoi se njerëzit nuk ikin nëse nuk kanë asgjë për të fshehur.

Nëse nuk keni bërë asgjë të keqe dhe kjo vlen për të gjithë ata që janë nën sanksione ose ndaj të cilëve po zhvillohet ndonjë proces gjyqësor në vend… nëse nuk keni asgjë për të fshehur, atëherë kthehuni dhe dëshmojeni këtë, shtoi Ageler.

Uashingtoni po shqyrton sanksione shtesë për Grubin dhe familjen e tij, si dhe Bexhetin, përveç ndalimit të hyrjes në SHBA. Më herët, Ageler ka theksuar se që nga pavarësia e vendit, SHBA-të kanë investuar gjysmë miliardë euro në gjyqësor, por siç vlerësoi nuk ka kthim të mirë të investimit./tv21