Rasti me anesteziologun, shkarkohet drejtori organizativ në spitalin e Tetovës
Rasti me anesteziologun nga Tetova, si asnjëherë më parë ka alarmuar institucionet. Urgjentisht është sanksionuar mjeku dhe është në paraburgim, deklaron Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti duke shtuar se më këtë rast do të veprohet edhe më tej në bazë të raportit nga Oda e Mjekëve.
“Në korniza ligjore, ai shtatë vite do të jetë pa licencë, derisa përfundon procedura gjyqësore. Kur të përfundojë ka mundësi që përjetësisht të mbetet pa licencën”, tha Fatmir Mexhiti.
Ministri Mexhiti në takim me gazetarët theksoi se edhe ai kishte marrë informacione të pakonfirmuara për sjellje të pandërgjegjshme të mjekut, por se nuk ka pasur asgjë me shkrim dhe nuk është ngritur asnjë procedurë qoftë edhe disiplinore.
“Tash e tutje në MSH dhe me ekipin tim punët nuk do të vazhdojnë në këtë mënyrë. Do të zgjidhen në moment dhe ashpër do të sanksionohen. Ish-Drejtori organizativ nuk ka qenë në punë kur ka ndodhur ngjarja dhe s’ka pasur marrëdhënie pune. Menjëherë e shkarkova. Sot ose nesër do të ketë Drejtor të ri organizativ”, tha Fatmir Mexhiti.